Sot, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Drejtori i Përgjithshëm, Klevis Qose, pati kënaqësinë të mirëpriste Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Shkëlqesinë e tij Nicholas Abbott. Takimi u fokusua në bashkëpunimin e deritanishëm dhe perspektivave për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit penitenciar shqiptar.
Gjatë takimit, u theksua roli i rëndësishëm që mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ka pasur në avancimin e sistemit penitenciar në vendin tonë, veçanërisht në përmirësimin e infrastrukturës, logjistikës dhe burimeve njerëzore.
Ndër çështjet e diskutuara ishin projektet e reja që synojnë modernizimin e sistemit, duke përfshirë implementimin e sistemeve të komunikimit virtual, si video-konferencat mes institucioneve penitenciare dhe gjykatave. Ky projekt do të ndihmojë në rritjen e sigurisë, uljen e kostove dhe lehtësimin e proceseve gjyqësore.
Në takim, Qose vlerësoi gjithashtu përparimin e sistemit penitenciar shqiptar drejt një modeli modern, i cili jo vetëm garanton sigurinë, por gjithashtu fokusohet në rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve në shoqëri.
“Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ka sjellë ndryshime të prekshme për sistemin tonë penitenciar. Ky partneritet është një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta për të ndërtuar një sisitem të sigurt,” u shpreh Qose.
Ambasadori Abbott, nga ana e tij, konfirmoi angazhimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur financiarisht në këtë proces. Ai vlerësoi masat dhe reformat që po zbatohen, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit dypalësh në arritjen e rezultateve të qëndrueshme.
Ky takim përforcoi angazhimin e ndërsjellë për të forcuar më tej bashkëpunimin në interes të përmirësimit të sistemit penitenciar dhe të respektimit të të drejtave të njeriut.
Postimi i drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose:
Sot, pata kënaqësinë të pres në ambientet e Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar 🇬🇧, Shkëlqesinë e tij, Nicholas Abbott. Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar mbi arritjet dhe sfidat në kuadër të bashkëpunimit tonë dypalësh në fushën e sistemit penitenciar.
🤝 Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar 🇬🇧 ka sjellë ndryshime thelbësore për ne, veçanërisht në përmirësimin e burimeve njerëzore, infrastrukturës dhe logjistikës.
💡 Po ashtu, diskutuam mbi projekte të reja, si implementimi i video call konferencës mes IEVP dhe gjykatave, që do të ndihmojnë në uljen e rrezikshmërisë nga të dënuarit dhe uljen e kostove në burime njerëzore.
📌 Theksova se Shqipëria 🇦🇱 po ecën drejt një sistemi penitenciar modern dhe gjithëpërfshirës, i cili jo vetëm sjell sigurinë, por edhe rehabiliton dhe riintegron të dënuarit.
🤝 Falenderoj Ambasadorin z. Abbott për angazhimin e tij dhe partneritetin e fortë mes dy vendeve tona 🇦🇱🤝🇬🇧. Jemi të bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë të sjellë ndryshime të prekshme dhe të dobishme për sistemin tonë penitenciar.
(Balkanweb)