Gazetari Artan Hoxha, në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka analizuar emërimin e Ilir Prodës si drejtor i ri i përgjithshëm të policisë, duke theksuar lidhjet e domosdoshme mes këtij institucioni dhe qeverisë.

Hoxha u shpreh se Shqipëria nuk është në një stad ku drejtori i policisë mund të jetë i pavarur. “Ai është i detyruar të bashkëpunojë me kryeministrin, sepse ka mandatin. Politikat e planit qeverisës implementohen në bazë të këtij mandati,” tha Hoxha. Sipas tij, kryeministri duhet të zgjedhë mes atyre që kanë gradën e drejtuesit të parë, ndërsa Proda, siç theksoi Hoxha, nuk ka qenë më parë në një pozita të tillë.

“E kam përshtypjen se Rama e kishte parasysh Prodën për këtë pozita,” theksoi Hoxha, duke përmendur karrierën e tij që ka ecur hap pas hapi, duke filluar nga detyrat më të thjeshta deri në pozitat e larta dhe si nëndrejtor i krimeve në dy qarqe.

Ai gjithashtu vuri në dukje se emërimi i Prodës u bë i dukshëm, sidomos pas sulmeve që ai përjetoi gjatë procesit të zgjedhjes. Hoxha shtoi se në Shqipëri nuk ka asnjë organizatë kriminale më të fortë se kryeministri. “Nuk janë organizatat që përdorin kryeministrin, por kryeministri vazhdon të jetë më i fortë se grupet,” tha ai.

Sipas Hoxhës, krimi i organizuar në Shqipëri nuk është i papërballueshëm, por ai e ka frikë shtetin. “Krimi më shumë mundohet të korruptojë dhe kërcënojë zyrtarë të ulët,” theksoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb