SARANDE- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi është nderuar sot me titullin “Qytetar Nderi” nga komuna e Livadhjasë. Në ceremoni përveç autoriteteve vendore të Gjirokastrës, Sarandës, Vlorës, merrte pjesë edhe Konsulli i Përgjithshëm Grek në Gjirokastër, Nikos Kotrokois, si dhe përfaqësues nga pushteti vendor nga shteti fqinj, Nënkryetarët e Bashkive të Igumenicës dhe Filatit.

Gjatë fjalës së tij Kryetari i Komunës Livadhja, Irodhi Dalani, vuri në dukje kontributin e dhënë nga Drejtori Didi, në rritjen e sigurisë në këtë zonë të minoritetit, jo vetëm duke hapur postën e policisë në Komunën Livadhja, por dhe duke ndjekur nga afër shqetësimet e banorëve të zonës, me synim zgjidhjen e tyre. Posta e policisë e ngritur në qendër të Livadhjasë, ishte një nga nismat që komuniteti e kërkonte prej vitesh, por vetëm tani u bë realitet.

Konsulli i Përgjithshëm Grek në Gjirokastër, Nikos Kotrokois, shprehu falënderimet për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për të gjithë bashkëpunimin, jo vetëm me autoritetet konsullore dhe diplomatike, por kryesisht me pushtetin lokal, me komunitetin lokal dhe me përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri.

“Në zonat e jugut të Shqipërisë ka pasur probleme dhe kryesisht probleme kriminaliteti. Për këto probleme kemi informuar, ashtu si konsullata edhe ambasada, autoritetet shqiptare, si dhe kemi përcjellë shqetësimet e popullatës së zonës. Me marrjen e detyrës nga i nderuari Drejtor i Përgjithshëm, por dhe Ministri i Punëve të Brendshme, pamë një rezultat të ndryshëm dhe reflektim të ndryshëm nga ana e Policisë së Shtetit shqiptar dhe një mirëkuptim akoma më të madh për problemet e qytetarëve minoritarë dhe paralelisht shtetas shqiptar që banojnë në jugun e Shqipërisë”, u shpreh Kotrokois.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duke shprehur falënderimet për vlerësimin e bërë nga Komuna e Livadhjasë, theksoi se titulli shkon për të gjithë punonjësit e policisë që ai përfaqëson.

“Është një nder i veçantë për mua që nga ky Komunitet i respektuar për nga vlerat që mbart në vete më jepet titulli qytetar nderi i komunës së tyre. Ky është një moment i veçantë jo vetëm për mua, por dhe për të gjithë punonjësit e policisë që unë përfaqësoj, sepse ky vlerësim që më bëhet është njëkohësisht vlerësim për punën e punonjësve të policisë që shërbejnë në postën e Livadhjasë, gjithashtu është një vlerësim dhe për punën e Policisë së Shtetit në përgjithësi”, u shpreh Didi.

Ai shtoi se kërkesat e banorëve të këtyre fshatrave janë vlerësuar edhe nga kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, të cilët kanë treguar interesim të vazhdueshëm.

“Unë nuk kam bërë asgjë më shumë se detyra, asgjë më shumë se realizimi i një premtimi për tu dhënë atë që u takonte për të ngritur një postë policie pranë kësaj komune, e cila do tu afrojë banorëve të kësaj zone ndihmë dhe shërbime për të parandaluar veprat penale dhe garantuar zbatimin e ligjit. Por edhe kjo meritë nuk është vetëm e imja pasi ishte një interesim i vazhdueshëm i Z.Kryeministër për premtimin e dhënë para këtij komunitetit, ishte interesimi i Z.Ministër të Brendshëm, i cili mori pjesë dhe në inaugurimin e kësaj poste. Puna ime për ti shërbyer komunitetit të kësaj zone tani fillon”, deklaroi Didi.

Një dhuratë simbolike i është dorëzuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, në emër të banorëve të 15 fshatrave dhe drejtuesve të kësaj komune “Kolosi i Rodosit”, perëndisë diell, duke i thënë që rruga e tij të ndriçohet.

Ndërkohë edhe deputeti Andrea Marto ka vlerësuar funksionimin e kësaj poste policore çka ka treguar se komuniteti i banorëve ndihet më i sigurt. Më pas Didi ka vizituar edhe shkollën e kësaj komune.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb