Vetëm para pak ditësh, Partizani emëroi Elton Marinin si drejtor sportiv, pas një periudhe të gjatë “thatësire” në këtë pozicion. Ish-sulmuesi, i cili prej vitesh angazhohet si menaxher lojtarësh, ka marrë frerët e merkatos së kuqe, ku i lind detyra e vështirë për të ndërtuar një ekip fitues pas një sezoni kur nuk u arrit asnjë trofe dhe dëmet u limituan me përfaqësimin në Ligën e Konferencës. Marini ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku ka treguar një pjesë të planit të tij për merkaton e Partizanit.
Si erdhi propozimi për t’u rikthyer te Partizani dhe për të marrë këtë rol të rëndësishëm?
Propozimi erdhi nga presidenti Demi dhe ishte i papritur për të qenë i sinqertë. Besoj është marrë parasysh marrëdhënia ime korrekte në punë dhe disa opsione të mira menaxheriale, që janë prezantuar më parë. Karriera ime si agjent krijon edhe lidhje me klube te huaja dhe mendoj se kjo është një arsye shtesë për këtë vendim të klubit.
Çfarë do të ndodhë me Zhuniorin dhe Hoxhën, të cilëve u ka përfunduar kontrata dhe klubi ende nuk ka njoftuar mbi të ardhmen e tyre?
Klubi po bisedon me të gjithë lojtarët që janë në skadencë kontrate dhe një ekip si Partizani ka nevojë për lojtarët më të mirë për të arritur objektivat e vetë. Por tregu është i lirë dhe asnjëherë nuk përjashtohet mundësia edhe e “rrjedhjeve” për ata që janë në skadencë kontrate. Ka një politikë të vëmendshme edhe për vlerësimin maksimal për talentet që prodhon sektori i të rinjve dhe do u jepet vëmendja e duhur.
Përballeni me largime të shumta para ndeshjeve të Europës, i keni gati pasuesit e atyre që do të largohen?
Përpara Ligës së Konferencës e kemi të qartë se disa balanca mund të prishen me ndonjë largim, por po punojmë fort që të kemi një konfigurim të skuadrës.