LUKSEMBURG – Sot ishte vendosur që 34 persona, të cilëve iu është refuzuar azili, në mesin e të cilëve edhe 18 të mitur, të dëbohen nga Luksemburgu në vendet e prejardhjes, respektivisht në Shqipëri dhe në Mal të Zi. Të gjithë kishin bërë kërkesë për azil, por që iu është hedhur poshtë. Ata qenë informuar me shkrim se duhej të braktisnin Luksemburgun brenda një muaji, por pasi ky afat ka kaluar, Ministria e Jashtme i ka kthyer ata sot me aeroplan. Kështu njofton Expres, duke cituar ministrinë në fjalë.

Në mesin e të dëbuarve ka qenë edhe një nxënëse 17 vjeçare e dalluar nga Shqipëria, që prej pesë vjetësh vijonte me sukses mësimet në një lice teknik, por as kjo nuk e ka ndihmuar për t`i shpëtuar dëbimit. Nxënësit dhe mësimdhënësit e vajzës nga Shqipëria kanë reaguar të indinjuar kundër politikës evropiane të migracionit që sipas tyre është shumë e ashpër. Kjo, për faktin se vajza është nxjerrë nga shkolla ku ishte në mësim dhe i është bashkuar familjarëve të tjerë në aeroport.

Fillimisht, ministria përgjegjëse ka kërkuar nga drejtori që nxënësen e përmendur ta dorëzonte në duart e policisë. Por ai nuk kishte pranuar. “Ne, natyrisht, do të respektojmë vendimin e institucioneve por që ne t`i dorëzojmë kështu nxënësit duke i nxjerrë para portës së shkollës që të dëbohen, kjo nuk do të merret në konsideratë. Diçka e tillë është kundër parimeve tona etike dhe na kujton kohëra të këqija”, shkruan “Luxemburger Wort”.

Personeli mësimor i ka shkruar një letër qeverisë ku thuhet shprehimisht se nuk lejohet në asnjë mënyrë që njerëz nga jashtë, gjatë orëve të mësimit të vijnë për të kërkuar nxënësit.

Me gjithë këtë, është arritur një marrëveshje që ka mundësuar një takim në sekretariat, ku nxënësja shqiptare ka shkuar e shoqëruar autoritetet e shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: