Sot për herë të parë ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare” po botojmë të plotë një dokument sekret të drejtorit të Drejtorisë së III të Sigurimit të Shtetit, Mehmet Çakës të prillit të vitit 1978, lidhur me disa informacione të siguruara në mënyrë operative nga rrjeti agjenturor në Spanjë. Informacioni në fjalë ka të bëjë me aktivitetin politik të mbretit Leka Zogu i I gjatë kohës kur ky i fundit ishte në mërgim i strehuar në kryeqytetin spanjoll Madrid, me miratimin e vetë mbretit të Spanjës Juan Carlo-s.

Dokumenti në fjalë tregon qartë interesimin e vazhdueshëm të Leka Zogut për ngjarjet politike që do të prodhonte Shqipëria e viteve ‘70-‘80, duke filluar që me goditjen e të ashtuquajturave Grupet Puçiste Armiqësore, për të vazhduar më pas me ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve shqiptaro-kineze në vitin 1978 dhe për të përfunduar më pas me vetëvrasjen e ish-kryeministrit Mehmet Shehu dhe goditjen e Grupit të fundit “Puçist” në Ministrinë e Punëve të Brendshme të kryesuar nga Kadri Hazbiu.

Në këtë bisedë të regjistruar në datën 7 mars të vitit 1978 në rezidencën e tij në Madrid, Leka Zogu i I, diskuton zhvillimin e ngjarjeve dhe konjukturave politike dhe historike të kohës së bashku me një nga këshilltarët dhe të besuarit e tij Qazim Prenin. Në këto biseda vërehet qartë dëshira e vetë Leka Zogut për të rekrutuar sa më shumë pjesëtarë të emigracionit politik antikomunist shqiptar në Europën Perëndimore dhe në SHBA, veçanërisht shqiptarët e Kosovës, për të shfrytëzuar në maksimum situatën e vështirë politike dhe ekonomike që po kalonte regjimi i Enver Hoxhës pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën.

Po kështu, në këtë diskutim tregohet në mënyrë të pashmangshme edhe pamundësia ekonomike për të drejtuar dhe financuar këto grupe antikomuniste në një sulm të “mundshëm” ushtarak ndaj Shqipërisë, për shkakun se një pjesë e mirë e fondeve të akorduara për të mbështetur aktivitetin politik antikomunist të ish-Mbretërisë shqiptare në mërgim ishte ndërprerë prej kohësh. Dhe kjo, pasi Monarkia spanjolle dhe një sërë shtetesh të Europës Perëndimore, duke parë mosmarrëveshjet e vazhdueshme të vetë krerëve të formacioneve politike antikomuniste në mërgim, e kishin gjykuar totalisht si të panevojshme dhe të paarsyeshme financimin e mëtejshëm të tyre për zhvillimin e aksioneve të ndryshme me karakter politik dhe ushtarak.

Gjithashtu, kabllogrami sekret në fjalë nxjerr në pah edhe opinionin e një pjese të qarqeve të larta drejtuese të politikës italiane, të cilat studionin në mënyrë të vazhdueshme ecurinë e ngjarjeve historike dhe politike të kohës, sidomos në shtetet e rajonit të Mesdheut dhe veçanërisht të Shqipërisë pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën. Politika italiane e atyre viteve i trembej një invazioni të mundshëm sovjetik mbi rajonin e Ballkanit dhe veçanërisht mbi Jugosllavi, duke marrë parasysh edhe praninë e bazave ushtarake të SHBA-ve nëpërmjet NATO-s në këtë vend. Por këto “sulme imagjinare” ushtarake ndaj Shqipërisë nga ana e emigracionit politik antikomunist shqiptar do të ngeleshin në letër sidomos pas dështimit të grupit të fundit të Xhevdet Mustafës në vitin 1982.
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
SEKRET
MINISTRIA E PUNEVE TE
BRENDSHME
Ekzemplar Nr.1
DREJTORIA E III
Nr. 652
Tiranë. më 26.4.1978

INFORMACION
Nga një burim i besueshëm, mësojmë:
Nga një bisedë e zhvilluar në Madrid më datë 7 mars 1978 me Qazim Prenin (nga Mati, një nga besnikët më të vjetër të familjes së Leka Zogut), ndër të tjera dalin këto çështje:
a) Leka Zogu në veprimtarinë e tij kundër vendit tonë kërkon të punojë dhe të sigurojë mbështetje të gjerë në radhët e shqiptarëve në Jugosllavi. Prandaj vitet e fundit, njerëz të besuar të tij dhe ai vetë kanë shtuar kontaktet me intelektualë kosovarë me banim në Jugosllavi e jashtë. Gjatë këtij viti tek Leka Zogu kanë shkuar në grupe prej dy-tre vetash, disa intelektualë kosovarë që banojnë në Kosovë, por nuk dihet konkretisht se cilët. Leka me të sipërmit paska biseduar se si duhet të punojnë ata në radhët e kosovarëve që të jenë të përgatitur “në një rast të acarimit të situatës në Ballkan” dhe “kërcënim të interesave të kombit”, ata së bashku me emigracionin reaksionar jashtë “të ndërhyjnë për të rrëzuar regjimin në Shqipëri, të hyjnë me grupet e tyre”. Me të sipërmit, Leka paska biseduar edhe lidhur me çështjen e sigurimit të armatimeve për këto veprime, por burimi nuk dinte hollësira.
Leka në biseda me kosovarë të ndryshëm, por edhe me emigracionin reaksionar propagandon se gjoja në një situatë të acaruar në Ballkan, ata (emigracioni dhe vetë Leka) do të gjetkan mbështetjen edhe brenda vendit, pasi sipas tij, ka njerëz “që janë të pakënaqur nga regjimi popullor”.

b) Leka Zogu në veprime kundër nesh, vitet e fundit “ka mbështetjen e gjithanshme të jugosllavëve, me të cilët mban kontakte të rregullta”, nëpërmjet njerëzve të besuar të organeve jugosllave, që kanë vajtur dhe venë hera-herës në Madrid. Në një bisedë në rrethe të ngushta, Leka paska thënë se “në rast të një acarimi të situatës në Ballkan”, emigracioni reaksionar jashtë do t’u ndihmoka jo vetëm nga shqiptarët në Jugosllavi, por edhe nga serbët.

Dokumenti sekret i MPB-së: “Leka vitet e fundit u është frikësuar atentateve”
Në veprimet e tij kundra nesh, sipas Qazimit financohet kryesisht nga Arabia Saudite, ndërsa qeveria spanjolle dy vitet e fundit i ka prerë “ndihmat” që i jepte Lekës dhe të ëmës së tij. Amerikanët, sipas Qazimit, deri tani janë treguar të rezervuar ndaj Lekës dhe nuk i dhënkan ndihma financiare. Lidhur me këto qëndrime të SHBA, Leka u paska shprehur disa herë “pakënaqësinë” e tij anëtarëve të “oborrit mbretëror”. Qazimi ka shprehur mendimin se një fare ndihme të vogël financiare, Leka mund të ketë marrë kohët e fundit edhe nga jugosllavët, por nuk dinte se në çfarë rruge dhe në cilën mënyrë.
c) Leka, dy vitet e fundit, nga frika se mos i bëhet ndonjë atentat nga njerëzit e tij, ose dhe nga “njerëzit e besuar të RPSSH”, sipas Qazimit, ka porositur rojet e tij të “oborrit”, që të jenë më të kujdesshëm dhe të kontrollojnë të gjithë njerëzit që kërkojnë takim me të. Në zyrën e re që kanë, ku është Abedin Mulosmani, është vendosur edhe një magnetofon që regjistron bisedat telefonike që bëhen (telefoni është 2703800) nga njerëz të ndryshëm, që kërkojnë takim me Lekën, ose me njerëzit e zyrës. Të interesuarve, sipas adresës që lenë, u telefonohet më vonë, mbasi të jetë mësuar se kush janë dhe të dhënë të tjera të mundshme për ta.

Raporti i Drejtorisë së III: “Stafi i oborrit mbretëror ankohet për gjendjen e vështirë ekonomike”
d) Njerëzit e “oborrit” të Lekës dhe të familjes së tij ankohen shumë për gjendjen e vështirë ekonomike të tyre. Qazim Preni ka thënë se paguhen pak, për rrjedhim, vishen dhe ushqehen jo mirë. Kjo, sepse Leka ka vështirësi të mëdha financiare. Me vështirësitë financiare motivojnë edhe shitjen e shtëpisë që bëri Geraldina dhe vajtjen e saj bashkë me Lekën në një shtëpi tjetër rreth 20 km larg Madridit, ku kanë edhe pak tokë.

2. Në qarqe të larta italiane, lidhur me vendin tonë bëhen edhe këto komente:
a) Sipas vlerësimit të tyre, marrëdhëniet e vendit tonë me Kinën do të shkojnë drejt ashpërsimit dhe keqësimit të shpejtë, mbasi kinezët do të vazhdojnë t’i bëjnë presione të hapura Shqipërisë, lidhur me qëndrimin që ajo mban ndaj politikës së brendshme dhe të jashtme të saj, duke arritur deri në “prerjen e të gjitha ndihmave ekonomike”. Kina sipas këtyre rretheve, krahas “prishjes” së marrëdhënieve më Shqipërinë, do të ecë shpejt në “forcimin e marrëdhënieve me aleatët e rinj”, në zonën e Ballkanit, sidomos me Jugosllavinë dhe Rumaninë, duke avancuar në përmirësimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat.

b) Në kushtet aktuale, sipas këtyre rretheve, Italia “do të tregohet më e matur”, në marrëdhëniet e qëndrimet e saj ndaj Shqipërisë. Do të përpiqet të zgjerojë shkëmbimet tregtare dhe kulturale dhe të mos i krijojë aktualisht vështirësi në këtë drejtim dhe për probleme të tjera, që kanë të bëjnë në marrëdhëniet midis dy vendeve”.

Kjo edhe për më tepër, mbasi sipas këtyre rretheve, “afrimi i Kinës me Jugosllavinë do të shpjerë në një të ardhme në ashpërsimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë” dhe në një “predispozicion më të madh të RPSSH për të zgjeruar marrëdhënien me Greqinë, Italinë, Turqinë etj.”.
3. Në këto rrethe vazhdohet të mendohet dhe shikohet me shqetësim forcimi i mëtejshëm i flotës sovjetike në Mesdhe dhe gjendja në Jugosllavi, sidomos pas Titos. Megjithëkëtë, në këto rrethe nuk mendojnë se Bashkimi Sovjetik mund të ndërmarrë aktualisht, ose në një të ardhme të afërt, ndonjë agresion të armatosur ndaj Jugosllavisë. Sipas tyre, edhe “afrimi kino-jugosllav” do e vështirësonte një afrim të tillë të sovjetikëve.

Mehmet Çaka: “Në rast agresioni sovjetik në Ballkan, NATO do ndërhyjë për ndihmë”
Me gjithë sa më sipër, sipas rretheve ushtarake italiane të lidhura me NATO-n, del se SHBA dhe NATO, në rast agresioni të sovjetikëve ndaj Jugosllavisë, ata “do të ndërhyjnë ushtarakisht, duke pushtuar të gjithë pjesët bregdetare të Adriatikut”, me synim që të mos i lënë sovjetikët të dalin në këtë det me flamurin e tyre.

4. Gjendja e brendshme politike-ushtarake e ekonomike në Itali po vjen gjithnjë dhe më shumë duke u acaruar dhe po shkon drejt forcimit të forcave të djathta fashiste, që po dalin hapur për vendosjen e diktaturës. Sipas rretheve të larta ushtarake, del se oficerët e lartë të ushtrisë, të karabinerisë dhe të forcave parashutiste bisedojnë në rrethet e tyre se po të futen në qeveri revizionistë, ata, (me ndihmën edhe të SHBA-ve) do të bëjnë grusht shteti, do të shpërndajnë parlamentin dhe do të vendosin një qeveri “të fortë” ushtarake.
DREJTORI I DREJTORISË
SE III
(MEHMET ÇAKA)

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: