TIRANE – Ndërsa ndeshja e futbollit Serbi-Shqipëri krijoi tension pak kohë më parë, bashkëpunimi kulturor mes të dy vendeve, veçanërisht muzika klasike, sjell një tjetër frymë dhe klimë komunikimi.


Dhe pikërisht ai që i vë vulën një bashkëpunimi të tillë Serbi-Shqipëri në fushën e kulturës është Dejan Saviç, Drejtori i Teatrit të Beogradit i cili ka ardhur në kryeqytetin shqiptar për të dirigjuar koncertin simfonik të datës 26 shtator në Teatrin e Operas dhe Baletit.


Ashtu sikurse në Beograd, edhe në Tiranë dirigjenti i koncertit Saviç, nuk i ka shpëtuar klimës së krijuar nga futbolli, dhe gjatë konferencës së mbajtur sot në TKOB, për pjesët që do të dirigjojë si simfonia Nr. 9, nga Antonin Dvorak, dhe koncerti për violinë, vilonçel dhe piano, Op 56 “Triptiku” i Beethoven, Maestro ka përcjellë edhe një mesazh për të dyja ekipet kombëtare.


“Do të doja që mediat të përcillnin një plan të panelit që jemi këtu dhe t’ua nisnin përpara ndeshjes Shqipëri – Serbi të dyja ekipeve, atij serb dhe atij shqiptar në mënyrë që edhe futbolli të kuptoj se si mund të bashkëpunojnë dy popuj e dy kultura si ne”, u shpreh maestro Saviç.

Saviç ka gjetur në Tiranë mbështetjen e artistëve të orkestrës simfonike të Tiranës dhe shpreson edhe në bashkëpunime të tjera të këtij lloji.
“Nuk është hera e parë që vij në Tiranë, por jam i mahnitur nga gjithçka keni bërë këto vite, ku që në aeroport m’u shfaq para një kryeqytet tjetër shume evropian, dhe uroj që ky të moj jetë bashkëpunimi im i fundit, pasi ky është një teatër ku kanë performuar zëra të mrekullueshëm të operës në botë si Inva Mula, Saimir Pirgu e Ermonela Jaho, emra që teatri i Beogradit do të donte shumë t’i priste”, vazhdoi Saviç.

“Sikur të kishim edhe vizita më të shpeshta të artistëve mes këtyre dy teatrove do të ishte fantastike, pra ju të sillni artistët tuaj dhe ne do t’ju sjellim zërat më të mirë në Tiranë”, tha më tej ai.
“Simfonia e 9 e Dvorak është vetëm pjesa e parë e një koncerti simfonik që do të vijojë me “triptikun’ e bet’hovenit, dhe Luca Franzetti në violonçel, Merita Rexha në piano dhe Abigiela Voshtina në violinë janë tre solistët që do të përcjellin Bethoven në Teatrin e Operas dhe Baletit” u shpreh Saviç pë koncertin.

Bethoven nuk është i thjeshte,e sidomos kur vjen në një koncert për violincele, piano dhe violinë së bashku, por unë besoj se do të sjellim më të mirën, pasi të punosh me dy artiste si Merita dhe Abigiela gjithçka është më e thjeshtë” përmbylli maestro Dejan Savic.
Koncerti simfonik dirigjuar nga maestro Savic do të vij për publikun mbrëmjen e së shtunës ora 19:00 në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.(ata)

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb