TIRANE- Numri i të punësuarve në sektorin e turizmit për këtë sezon ka kapur shifrën e 15 mijë të punësuarve, shifër kjo disa herë më e lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Turizmi është kthyer tashmë një nga sektorët më të rëndësishëm në rritjen e ekonomisë shqiptare me impakt të drejtëpërdrejtë në rritjen e punësimit e të të ardhurave.

Vasilika Vjero, drejtore e Përgjithshme e Tatimeve tha sot se, janë 15 mijë të punësuar në sektorin e turizmit, kryesisht në zonat bregdetare të vendit, ku numrin më të lartë të të angazhuarve në punë e mban rajoni i Durrësit, i pasuar nga Vlora e Saranda, që janë shndërruar tashmë në destinacione të fluksit turistik.

E pranishme në takimin që u zhvillua sot në Tiranë nga ministri Klosi, me përfaqësues të institucioneve të përfshira direkt në mbarëvajtjen e sezonit turistik, Vjero u shpreh se, nga inspektimet dhe vizitat që ka kryer në subjektet tatimpaguese që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike të vendit, konstatohet me mjaft pozitivitet se është rritur punësimi në sektorin e turizmit dhe ky tren parashikohet të rritet më tej deri në fund të këtij sezoni të vitit 2018.

Rritjen e të punësuarve në vendin tonë këtë vit, e konfirmoi një ditë më parë edhe Banka Qendrore.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi të mërkurën për mediat se, rënia e papunësisë në 12,5% përbën nivelin më të ulët historik të papunësisë të regjistruar në Shqipëri, ndërsa po shënohet rritje progresive e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vendin tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb