Drejtuesit e institucioneve më të lartë të Bashkimit europian ju drejtuan sot vendeve anëtare me një letër të përbashkët për të kërkuar prej tyre hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. “Ne besojmë se tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit me të dy vendet”, shkruhet në letrën e firmosur nga Presidenti i ri i Parlamentit europian David Sassoli, Presidenti aktual i Këshillit Europian Donald Tusk dhe ai i Komisionit Europian Jean Claude Juncker si dhe presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

“Qershorin e kaluar u pajtuam të arrinim një vendim të qartë dhe thelbësor për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë jo më vonë se tetori 2019. Bashkimi Evropian qëndron para një zgjedhjeje strategjike. Marrja tani e një vendimi për të filluar bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një provë e aftësisë së Bashkimit për të përmbushur premtimet e saj dhe për të parë të ardhmen”, shkruhet në letër, ku vihet në dukje se “bota jonë po pëson ndryshime të shpejta. Nëse BE do që të ruajë rolin e saj ndërkombëtar dhe të mbrojë interesat e saj, ndërmarrja e një hapi drejt integrimit të atyre vendeve evropiane që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kërkesat për fillimin e procesit të pranimit do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi”.

Drejtuesit më të lartë të institucioneve europiane theksojnë se “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bënë atë që u kërkuam të bënin. Arritja e kësaj kërkonte një përpjekje të konsiderueshme nga qytetarët e tyre, për të cilët perspektiva evropiane ka qenë një burim i shkëlqyeshëm i motivimit dhe vendosmërisë”. Ata nënvizojnë më tej se “Nuk ka asnjë garanci për sukses. Do të ketë shumë punë të vështirë për reformat gjatë rrugës. Anëtarësia nuk do të ndodhë brenda natës. Dhe të dy vendet janë të vetëdijshëm për këtë. Paralelisht, bashkëpunimi i BE-së do të duhet të thellohet për të ecur së bashku me zgjerimin, në interesin e ndërsjellë të qytetarëve të vendeve evropiane dhe ato kandidate”, vë në dukje letra.

Vendimi i vendeve anëtare pritet të merret në mbledhjen e Këshillit të datës 18 Tetor. Ndërsa Gjermania e ka marrë vendimin e saj në favor të të dy vendeve, duke renditur megjthatë një sërë kushtesh për Shqipërinë, ende nuk ka një ide të qartë se çfarë do të bëjë Franca, pozicioni i së cilës është i lidhur me së shumti me idenë e presidentit Emmanuel Macron për reformimin së pari të vetë BE-së. Edhe Hollanda nga ana e saj nuk e ka fshehur skepticizmin e thellë. “Ne, si shumë vende të tjera ende jemi të shqetësuar , diçka më pak për Maqedoninë e Veriut dhe më shumë për Shqipërinë. Pyesim veten, se sa përpara ka shkuar progresi në Shqipëri, dhe aty kemi më shumë shqetësime. Për këtë ne do të flasim në javët e ardhshme edhe me partnerët europianë, sepse jemi vërtet të shqetësuar, për masën e progresit të arritur”, deklaroi kryeministri hollandez Mark Rutte një ditë më parë gjatë një vizite në Berlin. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb