TIRANE – Farmacistët në pension fitojnë betejën gjyqësore ndaj vendimit të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, të cilët në mënyrë abuzive iu hoqën të drejtën e ushtrimit të profesionit si drejtues teknikë. Pas një beteje 5-mujore, Gjykata Administrative e Apelit e përbërë nga një trup gjykues me 5 gjyqtarë, Kastriot Selita, Altin Nasufi, Artur Malaj, Alkelina Gazidedja dhe Rilinda Selimi, vendosi: Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Vendimit nr.8, datë 29.05.2015, të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Farmacistëve të Republikës së Shqipërisë “Për disa shtesa në nenin 19 të Statutit” vetëm sa u përket kritereve të mëposhtme për të qenë drejtues teknikë.

1- Të punojë me kohë të plotë vetëm në farmacinë për të cilën aplikon si drejtues teknik. 2- Të mos ketë mbushur moshën për pension, përjashtuar rastet e të vetëpunësuarve. Sipas këtij neni të shtuar në statutin e UFSH-së, drejtuesit teknikë që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk janë të vetëpunësuar, pra nuk janë pronarë farmacie, nuk mund ta ushtrojnë këtë profesion. Ky nen, veçse u hodh unanimisht poshtë nga trupa gjykuese e Apelit Administrativ, më herët është kundërshtuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë, Avokati i Popullit si dhe Komisioneri Anti-Diskriminim.

Vendimi
Zbardhet vendimi i marrë në datën 6.11.2015 i Gjykatës Administrative të Apelit, i cili e shpall të pavlefshëm nenin 19 të statutit të ndryshuar me vendimin e Këshillit Kombëtar të Farmacistëve. Gjykata Administrative e Apelit i ka dhënë të drejtë palës paditëse (drejtuesve teknikë që kanë mbushur moshën e pensionit), duke e konsideruar të jashtëligjshëm nenin 19 të statutit, i cili u heq atyre të drejtën për të qenë drejtues teknikë. Sipas procedurave gjyqësore, pala e paditur, e cila doli e humbur në procesin gjyqësor, në këtë rast UFSH-ja, ka si detyrim të shlyejë edhe shpenzimet e procesit gjyqësor.

Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit mund të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë brenda afatit kohor prej një muaji nga marrja e vendimit. Grupi i farmacistëve të cilët ngritën padinë dhe ishin pjesëmarrës në gjyq kanë deklaruar për “GSH”, se nga kjo betejë edhe pse fituan, farmacistët sërish janë humbës, pasi enti publik që duhej t’i mbronte doli kundër tyre. Ndërkohë që për ata ishte edhe një humbje ekonomike, pasi pjesa dërrmuese e tyre humbën punën për shkak të këtij vendimi të paligjshëm të presidentes Diana Toma dhe Këshillit Kombëtar të UFSH-së.

“Ne kërkojmë që Këshilli Kombëtar i UFSH-së të mos marrë vendime abuzive, pasi nesër do dalin të tjerë farmacistë në pension, përfshi edhe ata që kanë marrë këtë vendim. Për ne kjo ishte një fitore morale, pasi më shumë fitues janë ata që janë prag pensioni. Ndërsa humbësit e mëdhenj janë UFSH (Këshilli Kombëtar dhe Presidentja), pasi humbi moralin e të qenit ent në mbrojtje të farmacistëve. Ne paguajmë kuota (lekë) që me to UFSH-ja të penalizojë anëtarët e vet. Sepse edhe shpenzimet e gjyqit UFSH-ja do i paguajë nga lekët që japin farmacistët që janë anëtarë të urdhrit”, – janë shprehur grupi i farmacistëve që ngritën padinë ndaj vendimit të UFSH-së.

Kundërshtimet
Kundër nenit 19 ishin shprehur më parë edhe institucioni i Avokatit të Popullit dhe Komisioneri Anti-Diskriminim, duke e konsideruar këtë nen diskriminues dhe antikushtetues. Po ashtu, ky ndryshim i statutit është kritikuar edhe nga ministri i shëndetësisë Beqaj, i cili ka dalë në krah të farmacistëve dhe kundër Urdhrit të Farmacistëve.

“Në ligjin e barnave janë mirëpërcaktuar kriteret e drejtuesit teknik. Nuk mundet Urdhri i Farmacistëve të vendosë të tjera kritere, pasi nuk ia atribuon këtë gjë ligji. Ndaj, UFSH-ja duhet ta rishikojë këtë vendim që bie ndesh me ligjin”, – shprehet ministri Beqaj.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: