KORCE-Greva që nisi pak ditë më parë nga 15 të dënuar në burgun e Drenovës, u agravua dje kur numri i tyre arriti në 150. Nga burimet pranë këtij institucioni të vuajtjes së dënimit mësohet se të burgosurit e burgut të Drenovës në Korçë kanë hyrë në një grevë që prej mbrëmjes të së enjtes, ku kërkojnë miratimin sa më parë të Reformës në Drejtësi, e cila, sipas tyre, do të vinte në vend drejtësinë e mohuar për shumë prej tyre. Nga burime brenda burgut të Drenovës, bëhet me dije se, grevistët mendojnë se me miratimin e saj do të ulet shkalla e korrupsionit në dhënien e dënimeve në gjykatat e vendit. Po ashtu, grevistët, përmes një letre që i kanë dërguar drejtorit të burgut, kanë kërkuar edhe ndryshimin e ligjit për lirinë mes kuht dhe për masën e sigurisë. Përveç kësaj, në letër thuhet se, atyre që iu ka mbetur më pak se një vit dënim për të shlyer të përfitojnë nga amnistia si dhe ndryshimin e dënimit në bazë të ligjit të ri që përcakton dënimin për armëmbajtje pa leje.

Të burgosurit i kanë paraqitur administratës së burgut dhe ministrit të Drejtësisë një kërkesë me 6 pika, nëpërmjet të cilave kërkohet ndryshimi i disa neneve të Kodit Penal. Kërkesat e të burgosurve lidhen me ndryshimin e nenit 64 të Kodit Penal, për zbutjen e kritereve që parandalojnë dhënien e lirimit me kusht. Sipas vlerësimit të grevistëve, të dënuarit që përfitojnë leje shpërblyese duhet të jenë automatikisht, objekt i përfitimit. Më 15 qershor, 15 të dënuar për armëmbajtje pa leje në burgun e Drenovës kanë hyrë në grevë urie. Ata pretendojnë se mbahen në mënyrë të padrejtë në burg, pasi neni me të cilin janë dënuar, është shfuqizuar si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese pak muaj më parë.

Me kërkesë të Gjykatës së Apelit të Vlorës, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi paragrafin numër 5 dhe 6 të nenit 278 të Kodit Penal që parashikonin dënim 7-15 vjet burg për personat, që kapeshin me armëmbajtje pa leje. Të burgosurit i janë drejtuar edhe Gjykatave të Shkallës së Parë, të cilat i kanë dënuar për këtë vepër, por gjykatat respektive janë në pritje të qëndrimit nga ana e Gjykatës së Lartë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: