TIRANE – Koloneli që u lirua nga detyra për shkelje të disiplinës ushtarake thotë në një letër të hapur që botohet sot në “GSH”, se lirimi i tij nga detyra u gatua me qasje staliniste. Dritan Demiraj falenderon Berishën dhe Mediun për mbështetjen publike dhe thotë se është kundër politizimit të çështjes. “Lëvizjet e mia kanë qenë më leje. Shefi i Shtabit të mos shohë armiq imagjinarë”, thotë kolonel Demiraj. Ai ka qenë komandant i Forcave Speciale të Ushtrisë, aq sa njihet si “babai”, udhëheqësi i parë luftarak në terren dhe trajnues i misioneve “Eagle”, pedagog dhe autor i shumë librave.
LETRA E PLOTE
Paraprakisht dëshiroj të falënderoj me mirënjohjen më të sinqertë mijëra kolegë, qytetarë të zakonshëm brenda dhe jashtë vendit për vëmendjen mesazhet dhe inkurajimin që më kanë dhënë mua dhe familjes time, me këtë rast.
Për të tejkaluar keq informimet, keq interpretimet dhe spekulimet, e ndjej për detyrë shtetare të bej disa qartësime dhe qëndrime personale, në lidhje me këtë mase ekstreme:
Së pari, e konsideroj veten produkt të një investimi 31 vjeçar në Forcat e Armatosura (FA). I siguroj të gjithë se 24 libra, disa misione, 10-tra konferenca ndërkombëtare, rreth 45 dekorata, nga Presidentë, “Medalja e Artë e Shqiponjës” nga Presidenti Topi, Medalja “Nderi i Kombit” nga Presidenti Nishani, Ministrat e Mbrojtjes, Shefat e Shtabit të Përgjithshëm, Komandantët e Forcave, etj, Sekretari Përgjithshëm i NATO-s, ish komandanti ISAF-it Petreus, Komandantë të ushtrisë Amerikane, nuk janë vetëm vlerësime për përkushtimin, performancen dhe sakrificat e mia dhe të familjes time, por i ndaj me respekt me vartësit, kolegët, eprorët, që më kanë shoqëruar me mbështetje të jashtëzakonshme në ketë CV jo të zakonshme.
Së dyti, falënderoj drejtpërdrejtë, ish-kryeministrin, SHT Zoti Berisha, ish-ministrin Zotin Mediu, dhe disa personalitete të njohura në jetën publike, për vëmendjen dhe investimin në rastin tim. Me këtë rast, Ju garantoj të gjithëve se Kolonel Dritan Demiraj, ashtu si deri tani do të vijoj të mbetem një ushtar i Atdheut dhe profesionist i përgjegjshëm në FA. Si e tillë, lutem mirëkuptimin e gjithsecilit që është i interesuar në këtë rast, se edhe pse është një vendim tërësisht i papërgjegjshëm dhe i kundraligjshëm- nuk dëshiroj të marrë ngjyra politike, pasi besoj fort në devizën perëndimore se FA – janë asete kombëtare, në dobi të sigurisë qytetareve, shoqërisë dhe Kombit.
Së treti, bëj me dije se vendimmarrja e Ministres Kodheli, është ankimuar dhe kam besim të plotë se drejtësia do ta gjeje ketë vendimmarrje në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret, në kundërshtim të frikshëm me modelet perëndimore të trajtimit të ushtarakeve, të padrejtë dhe të paprecedente njëherësh. Mjafton të përmend që për këtë masë ekstreme (ose “hakmarrje primitive”), nuk është zhvilluar një procedure zyrtare normale, e cila është marrë në datë 5.12.2014, dhe vetëm me interesimin tim jam njohur në datën 17 dhjetor? Gjithashtu, qartësoj se në të gjithë vlerësimet e mija, nuk kam patur asnjë masë disiplinore, duke përfshirë edhe vlerësimin për vitin 2014, ku jam vlerësuar maksimalisht.
Së katërti, qartësoj ekskluzivisht, se në të gjitha rastet që kam lëvizur jashtë shtetit, kam marre leje sipas rregullave, nga Autoritetet përkatëse që nga momenti që kemi marrë njoftim për këtë me urdhër – përkatësisht Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe Zv/Mbrojtjes. Praktikat për çdo rast, janë administruar në sekretaritë e MM dhe të SHP.
Së pesti, sqaroj se në të gjitha daljet jashtë shtetit (përsëris me leje) përveç arsyeve familjare – “nuk kam kërcënuar/tradhtuar sigurinë kombëtare”, por kam ndarë në mënyrë të përgjegjshme me kolegë dhe autoritetë të larta të SHBA, etj, partnerë strategjikë, ekspertizën, vlerësimet dhe shqetësimet e mija profesionale për çështje të Sigurisë, Terrorizmit dhe të Mbrojtjes Kombëtare.
Së gjashti, nëpërmjet këtij prononcimi bëj me dije se kam venë në dijeni paraprakisht Autoritetet (Presidentin Kryeministrin, Ministren) dhe qartësoj kolegët, dhe këdo të interesuar se vendimmarrja e lirimit tim nga ushtria nuk ka ardhur brenda një dite, por është gatuar me një përqasje staliniste, dhe terminologji të sistemit të keqshpërdoruar, tërësisht i padenjë për një vend anëtar të NATO-s. Mbetem ende me shpresë, se Kryeministri Zoti Rama, ka qënë i pa informuar ose keq-informuar për këtë vendimmarrje, dhe si e tillë vijoj të besoj se Ai do të tregojë vëmendjen e duhur dhe do ta adresojë në mënyrë shtetare këtë rast. Shpresoj gjithashtu, që edhe aleatet strategjik, nga të cilët kam marrë vlerësime maksimale, të kontribuojnë për ta tejkaluar këtë rast.
Së shtati: në vlerësimin tim, shpresoj jo vetëm – definicioni dhe kufizimi për daljet jashtë shtetit të ushtarakeve, është një qasje e trashëguar nga regjimi paranojak komunist, dhe rregulloret e Mehmet Shehut. Konteksti jashtë shtetit, (ishte për vendet armike), është po ashtu terminologji e viteve 74, e sistemit të keq shpërdoruar e Vito Kapos, e dekoruar së fundmi. Me keqardhje gjykoj se MM dhe SHSHP në vend që të përditësojë/përmirësojë definicionin “jashtë shtetit, dhe masat në referencë të kësaj rregullore paranoje”–vijoj në të keq shpërdorojnë dhe trajtojnë si mekanizëm për të gjetur grupe armiqësore dhe dënuar armiqtë e radhës. Për shembull shtrohet një pyetje e thjeshtë, si të kuptohet ky definicion dhe kjo mase ekstreme kur udhëtojmë në hapësirën Euroatlantike ku ne jemi pjese/anëtare?. E parë në këtë kontekst, besoj të jetë e shumë mirë kuptueshme se masa ekstreme në rastin tim, dhe të ndonjë rast tjetër, është vetëm “arsyeja banale dhe qesharake njëherësh”! Gjithashtu gjykoj se spekulimi me termin “Siguria Kombëtare”, nuk është as për të hapur rrugë ilegjetimitetit të prokurimeve, si rasti investimeve me banjot, tapetet, karriket, sistemet IT) me 1 milion $!
Përtej rastit personal, informoj Aktorët dhe opinionin publik se jam thellësisht i shqetësuar për gjendjen alarmante të kohezionit, solidaritetit, dhe trajtimit të ushtarakëve në FA.
Në fundit por jo nga rëndësia,i bëj thirrje publike M. Kodheli, të revokojë këtë masë jo kundrejt individit, por kundrejt ushtarakut, kolonelit, dhe Nderit të Kombit, Kolonel Dritan Demiraj.
I bëj thirrje publike, Shefit të Shtabit të Përgjithsëm në vend që të harxhojë energji për të “zbuluar armiq imagjinarë” dhe të më uroj në mënyre meskine për “jetën private”, te jap dorëheqjen për shkelje në raste te përsëritura të Kushtetutës, për shpërdorimin e parimit kushtetues të pa-asnjanësise politike në ushtrimin e detyrës, dhe përdorimin e dy fishit të dekoratave, aplikimin e sjelljeve dhe standardeve të dyfishta (ndërsa kolegun për të njëjtën arsye e padit me burg), heqjen nga vlera e pikësimit të kontributeve në operacionet jashtë vendit, të cilat jo vetëm e turpërojnë por edhe e komprometojnë rëndë pozitën e tij zyrtare.
Me këtë rast, i siguroj të gjithë të interesuarit se do të vijoj të angazhohem edhe me fuqishëm edhe më përgjegjshëm në çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare.
Kolonel Dritan Demiraj
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: