VLORË– Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, si i zoti i shtëpisë ka pritur shumë mysafirë sot në qytetin bregdetar në kuadër të 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Teksa mori fjalën i pari në pritjen me rastin e 28 nëntorit që u mbajt në Bashkinë e Vlorës, godinë tashmë e rikonstruktuar, Leli u tregua tejet i ekzaltuar, ndërsa nuk nguroi që të komplimentonte kryeministrin Edi Rama, duke treguar se për të ishte një burim frymëzimi.

Kryebashkiaku theksoi se Rama kishte qenë për të një model, gjatë kohës që ai ishte student, ndërsa u kërkoi të pranishmëve që ta duartrokisnin kryeministrin.

“Faleminderit te gjithëve qe keni ardhur në ketë godinë të re të bashkisë së Vlorës, të shikoni këtë përpjekje të të gjithëve me mbushjen e veçante të kryeministrit Rama për të ndryshuar këtë godinë që ishte lënë në harresë. Në këtë sallë dy vjet më parë ishte një shkatërrim total, asgjë nuk i ngjante kësaj që shohim sot. Godina nga brenda ishte ndarë në disa kioskëzime të vogla, që nuk i përkisnin një bashkie dinjitoze si ajo Vlorë që duam të bëjmë. Dua të falënderoj të gjithë ata që më mbështeten në ndryshimin e kësaj bashkie, falënderoj zotin Gjiknuri dhe të gjithë ata biznesmenë të qytetit që u afruan me bujarinë e tyre, kjo godinë është shndërruar e tëra jo vetëm në një godinë që do ofrojë shërbime por me mbështetjen e artistëve të Vlorës të jetë sot një ekspozitë arti. Në gjenezën e vlonjatëve ka artistë dhe në kodin gjenetik të tyre ka shumë njerëz që kanë frymëzim artistik, do veçoja njërin që është më i dashuri për mua, kryeministri Rama dhe do kërkoja një duartrokitje të vogël edhe pse e di qe i keni duart e zëna. Sepse për mua ka qenë një burim i madh frymëzimi që në kohën kur shkruante shumë vite më parë, në ato shkrime ku unë isha student. Shqipëria në ato vite ishte një kioskë e ndërtuar në prapanicën e një autobusi urban. E kujtoj që atëherë dhe e kam ndjekur në çdo periudhë nga larg, duke vlerësuar për çdo gjë që ka bërë për Tiranë, për konceptin e ri për të ndryshuar Shqipërinë. Ndaj dua ta falënderoj në sy të të gjithëve. Sepse më ka bërë të ndjehem mirë, më kam lënë të jem i lirë. Dhe kjo vepër është sot ajo që prisnin qytetarët. Gëzuar të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Më vjen mirë që ishit sot dhe jeni në Vlorë, në godinën e re të Bashkisë.”, mbylli fjalën e tij kryebashkiaku.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: