VLORE– Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektoi punimet në një tjetër projekt të infrastrukturës, asfaltimin e rrugës pranë nënkalimit të Panajasë. Ky nënkalim do të lidhë tashmë fshatrat e zonës së Novoselës me autostradën.

“Unë kam zgjedhur të punoj. Shumë bëjnë politikë, shkëmbejnë debate dhe mesazhe për të fituar ca vota më tepër. Unë kam zgjedhur që t’u shërbej qytetarëve, që t’i shërbej Vlorës, t’i shërbej të gjithë atyre që kanë zgjedhur të jetojnë në territorin e Bashkisë së Vlorës. E gjitha kjo me qëllimin e vetëm: ta bëjmë Vlorën qytetin e dytë më të rëndësishëm në Shqipëri”, tha Leli.

Në vijim, kreu i Bashkisë së Vlorës shigjetoi Ministrinë e Transporteve, të drejtuar nga Sokol Dervishaj i LSI-së ndërsa tha se me keqardhje konstaton se punët publike në akset e mëdha po ecin me ritme të ngadalta.

“Ajo që më vjen keq dhe konstatoj janë punët publike, sidomos akset e mëdha, për të cilat shfrytëzoj rastin përmes mediave t’u transmetoj mesazhin që të punohet më fort për të shtyrë përpara këto punë të mëdha publike, siç janë Bypass i Vlorës dhe ai i Fierit, të cilat nuk kanë ecur me ritmin që qytetarët do të donin dhe që Vlora turistike do të donte të kishte në këtë prag sezoni turistik” , u shpreh ai.

Nënkalimi i Panajasë, është një nga 13 segmentet që do të asfaltohet, një investim që kap vlerën e 1.1 miliard lekë të vjetra.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb