Gazetarja Glidona Daci përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e emisionit “Open” në News24 është shprehur se e vetmja organizatë kriminale e mirëfilltë shqiptare ka qenë ajo e Dritan Rexhepit.
Sipas saj Dritan Rexhepi kishte organizuar sigurimin e lëndëve narkotike nga vendet latine dhe e dërgonte atë më pas drejt Europës duke pasur kontakte vetëm me krerët e grupeve kriminale.
Ajo shtoi se grupi i Ervin Matës nga ana tjetër nuk mund të konsiderohet një organizatë e mirëfilltë kriminale si ajo e Rexhepit duke qenë se Mata bashkëpunonte me persona që i kishte të besuarit e tij pa pasur një hierarki.
“E vetmja organizatë kriminale nëse mund të quhet ishte ajo e Dritan Rexhepit, i cili mbante kontakte me disa organizata kriminale në Kolumbi, Meksikë, Brazil, etj për të siguruar lëndë narkotike të cilën më pas e sillte në Europë. Dritan Rexhepi ishte truri që siguronte drogën dhe mbante kontakte vetëm me drejtuesit e grupeve kriminale.
Titullin organizatë kriminale është krijimi i kompanisë Bello nga Rexhepi, kompani e cila përmbyti me kokainë vendet e Europës, kryesisht Italinë. Nga ana tjetër kemi Ervin Matën që nuk mund të quhet organizatë kriminale, pasi bashkëpunonte me persona që i kishte të besuarit e tij. Dritan Rexhepi krijoi të parën organizatë kriminale shqiptare”, u shpreh ajo mes të tjerash.