TIRANE – Emisioni “Le Iene” në Itali transmetoi këtë të hënë një tjetër reportazh investigativ për ish-shefin e antidrogës së Fierit, Dritan Zagani, i cili ndodhet në Zvicër, në kërkim të azilit për familjen tij. Investigimi i sjellë nga gazetari Luigi Pelaza risjell dhe njëherë si ra në pranga ish-oficeri i antidrogës së policisë shqiptare, lidhjet e tij me agjentet italianë, por dhe rolin e përfaqësueses së INTERPOL-it të palës italiane Ana Pogi në Shqipëri.

Dritan Zagani u arrestua pas një operacioni policor, siç rrëfen ai, ku u sekuestruan 110 kg marijuanë me akuzën “shpërdorim detyre”, pasi nuk njoftoi eproret e tij, por Zagani i rrëfen gazetarit italian se s’kishte pse të njoftonte pasi eproret e tij ishin vetë në krye të operacionit.

Më pas tregohet dhe historia e avionit që u rrëzua në Divjakë i pilotit italian Riformato. Gazetari kontaktoi me banorë të zonës, të cilët i treguan se kanë parë të ulen edhe avionë të tjerë në pistë tjetër dhe jo vetëm në plazh. Në këtë pjesë të reportazhit hyn dhe emri i italianit Alesandro Giuliani, që sipas gazetarit italian nuk ishte thjesht një financier por një agjent sekret i policisë italiane. Ishte ky personi që komunikonte me policë, por infiltrohej edhe me trafikantë droge, duke krijuar kushte për ndërhyrje më vonë të kolegëve të tij.

Ishte ky personi me të cilin komunikonte oficer Zagani, që siç rrëfen ai vetë “Bashkëpunonte çdo ditë me të, që kur Giulian ishte me mision në Shqipëri.
“Flisnim për drogën, trafikantët, vendet ku fshihej droga, ku shkonte droga, kush e merrte”- tha ai.

Sipas tij, tashmë të gjitha telefonatat janë konsideruar, sikur ata kanë bërë së bashku trafik droge. Kjo e çoi policinë shqiptare të pyeste përfaqësuesen e INTERPOL-it të palës italiane, Anna Pogi. Kjo e fundit përmes një shkrese vinte në dukje zyrtarisht autoritetet shqiptare se Alesandro Guliani nuk kishte asnjë rol si në Shqipëri dhe Itali.
Ishte pikërisht kjo shkresë që çoi në burg Dritan Zaganin. Por çfarë e detyroi Ana Pogin të gënjente. Sipas Zaganit, Anna Pogi duhet tu kthente autoriteteve shqiptare një nder që ata i kishin bërë me birësimin e dy fëmijëve në Shqipëri.

Sipas gazetarit të “Le Iene”, Ana Pogi nuk birësonte dot fëmijë në Itali pasi ishte një grua e pamartuar. Kurse në Shqipëri, asaj iu dha nënshtetësia shqiptare dhe iu mundësua birësimi i dy fëmijëve.

Dhe me tej sipas gazetarit nënshtetësia jepet kur ti jeton në atë vend. Por Ana Pogi sapo mori nënshtetësinë, së bashku me dy fëmijët, iku në Slloveni e angazhuar aty në një pozicion zyrtar. Kurse Dritan Zagani nga Zvicra mbyll intervistën se me të siguruar azil për familjen e tij ai do rikthehet në Shqipëri, për të çuar këtë luftë deri në fund.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb