TIRANE

Siguria ushqimore dhe çfarë hanë shqiptarë është në qendër të emisiont të së martës në News24 “Dritare me Rudinën”. Të ftuarit gazetarë, ekspertë e biznesmenë kanë folur për skandalet e zbuluara së fundi, si ai me mishin me brucelozë në Lushnjë apo hormonet e pesticidet në perime.

Gazetari i “Fiks Fare” Sokol Çobo foli për investigimin e fundit ku u zbulua se mishi i kafshëve të sëmura me brucelozë çohej në burgje, ndërsa të brendshmet e tyre varroseshin pa asnjë protokoll sigurie.

“Investigimi nisi pas alarmit të banorëve. Kafshët ishin me brucelozë. Morëm denoncimin e banorëve, shkuam tek kjo thertore. Biseduam me një punonjës të landfillit që groposte këto mbetje. Ai na tha se pak ditë para investigimit kishte groposur rreth 60 lopë me brucelozë. Burgjeve e institucioneve të tjera nuk iu thuhet që ky mish është i një kafshe të prekur nga bruceloza ose tuberkulozi”, tha Çobo.

Sipërmarrës i EHW Luan Leka tha këto fakte nuk duhet të krijojnë panik sepse ka dhe një sistem që funksionon. “Ka shumë ndërmarrje të çertifikuara. Ky ëshë një fakt kriminal sipas meje episodik. Duhen ndalur organet e inspektimit. Është e pavend që të ketë panik ndaj, duhet të ketë autoritete që të thonë fjalën e tyre”, tha ai.

Gazetari Çobo tha se pas investigimeve pati një ndryshim në ISUV dhe verifikime për mishin e gjedhëve të sëmura.
“U ndryshua drejtori i ISUV. Fiks Fare trajtoi dhe probleme të tjera pas kësaj, hormonet dhe pesticidet në perime. Ishte pas këtyre investigimeve. Drejtoria e Burgjeve ka nisur një verifikim ku ka shkuar ky mish dhe nëse këtyre institucioneve iu është thënë si është ky mish”, tha ai.

Nga ana tjetër Hasan Stafa kreu i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit deklaroi se ky mish dhe produktet e tij nuk mund të konsumohen.
“Këto lloj produktesh nuk mund të konsumohen. Nuk konsumohet, një sërë kategorish sëmundjesh që prekin gjënë e gjallë, nuk konsumohet mishi”, tha prerazi ai.

Dhimo Kote, zëvendës ministër i bujqësisë deklaroi se shteti nuk ka ndenjur duarkryq dhe se janë marrë masa por e quajti rast të izoluar. “Ishte një rast që mund të quhet kriminal. Ky denoncim është një vlerë e shtuar dhe ndihmon institucionin. Ne nuk rrimë duarkryq. Ka njerëz që abuzojnë. Nuk është se unë nuk jam i shqetësuar. Masa që u mor dhe që u bë ndryshim në ligj deri në burgim, që nuk ka qenë”, tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb