Të rinjtë e Tiranës i has edhe brenda këtyre mureve të harruara, duke vrarë edhe të fundit energji me shiringa helmuese. Prej kohësh kjo godinë shërben si ambient ku të rinjtë marrin drogë. Pasi me padurim injektojnë drogën në trupin e tyre, shiringat i hedhin ngado. Kthehen sërish në këtë godinë, gjithçka është si e kanë lënë, hedhin dhe disa shiringa të tjera dhe largohen.
Izolimi është një nga problemet më të mëdha që hasin përdoruesit e lëndëve narkotike. Shumë pak njerëz dëshirojnë të shoqërohen me ta. Askush nuk ka dëshirë të jetë mik me dikë që të kërkon gjithë kohës para borxh, me dikë që është i gatshëm të vjedhë për të siguruar paratë e drogës.

Por ndërsa disa njerëz vrasin energjitë rinore në disa skuta, në një skaj të Tiranës ky fenomen negativ luftohet. Luisi po rehabilitohet në qendrën aksion plus. Nevojën për drogë ai e zëvendëson me metadonin që kjo qendër e jep falas.

Luisi tashmë nuk konsumon më drogë. Në qendrën Aksion Plus, në vend të heroinës i jepet metadon. Kjo është një mënyrë efikase që i ndihmon përdoruesit e lëndëve narkotike të shkëputen gradualisht nga konsumimi i lëndëve narkotike. Kjo është beteja që ka në këtë moment, por lufta është e madhe.

Për vitin 2018 në qendrën Aksion Plus janë regjistruar 695 konsumues të lëndëve narkotike, të cilët kanë marrë falas metadon. Mjafton një lexim analitik i statistikave që kjo qendër disponon për të evidentuar të gjitha problemet që droga sjell. Më shumë se gjysma e të regjistruarve në këtë qendër janë të papunë ose bëjnë punë me kohë të pjesshme. Ndërkohë veç vështirësisë për të punuar, konsumuesit e lëndëve narkotike hasin vështirësi për të krijuar familje apo për të bashkëjetuar me dikë. 61% e të regjistruarëve në këtë qendër janë beqarë ndërsa 12,9 % të divorcuar.
Siç u përmend më herët, ajo që bie sërish në sy nga shifrat është mosha kur të rinjtë e nisin drogën. 80 % e të regjistruarve në këtë qendër rehabilitimi kanë deklaruar se për herë të parë kanë provuar të konsumojnë drogë nga mosha 16 deri në 25 vjeç.

Të jesh i ri do të thotë të kesh mundësinë të pushtosh botën, por ndonjëherë është edhe koha kur njeriu gabon edhe më tepër. Por nëse disa gabime janë të nevojshme, pasi të ndihmojnë të rritesh, kontakti me drogën rezulton fatal. Kureshtja e momentit, shtysat e miqve apo dëshira e madhe për të shkuar drejt labirinteve të panjohura, jo pak herë i shtyn adoleshentët drejt drogës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: