DURRES- Për të dytën herë brenda pak javësh, ekspertë gjermanë kanë zbarkuar në Shqipëri për hetimet e dosjes “Xibraka”, ku pas zbulimit të një laboratori modern droge, nëntë persona përfunduan prapa hekurave, mes tyre dhe nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha. Ndërsa, ekspertët pritet të thonë fjalën e tyre sa i përket sasisë së kokainës që është zbuluar në laborator, pasi po kryejnë ekspertizat. Ndërkaq, në kuadër të hetimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur nën sekuestro magazinat e dy shoqërive tregtare në Shkozet të Durrësit, pasi dyshohet se përmes tyre është futur në Shqipëri lënda e përpunuar ku fshihej kokaina.

Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për shoqëritë “Meridian” dhe “Alba Grup”, në ambientet e të cilave janë sekuestruar të paktën 15 tonë pesticide për vreshtarinë si dhe përpunimin e lëkurës. A.T., pronar i subjekteve, u tha hetuesve se i ka porositur substancat nëpërmjet internetit, pasi kishte nevoja në treg, por ka mohuar kategorikisht që të ketë dijeni për kokainën, që dyshohet se ka hyrë në treg. Prokuroria, e cila po heton për një rrjet trafiku ndërkombëtar kokaine, është duke verifikuar për mekanizmin sesi në Shqipëri u futën sasi të mëdha droge. Deri më tani, të dyshuar janë nëntë persona; Ilir Hyseni, Kelmend e Arjan Dalipi, Ermal Hoxha, Kastriot Imeri, Gentjan Gjonaj, Saimir Batku, si dhe dy kolumbianët, Cesar Avila dhe Valther Moreno. Pikërisht në Xibrakë të Elbasanit, dyshohet se bëhej edhe përpunimi i kokainës, ku ndahej nga lënda me të cilën vinte e përzier.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb