KAPSHTICË- Sekuestrohet 79 kg lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa në Kapshtucë, ndërsa në pranga ka rënë poseduesi i saj. Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për Ardian Dulen, 41 vjeç, banues në Tiranë.

Të njëjtat burime theksuan se sot Dula u kap në dalje të kufirit me mjetin tip kamion të markës “Scania” me targa AA579ON dhe rimorkio me targë TR7326K. Nisur nga dyshimet e shfaqura, ky mjet u përzgjodh nga shërbimet e Policisë Kufitare, për verifikim në vijën e dytë. Gjatë kontrollit në skaner, u shfaqën dyshime se në pjesën e tavanit të rimorikios, mund të ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike.

Konkretisht në brendësi të tubave të cilat mbanin skeletin e mbulesës së rimorkios, u konstatuan tuba të tjerë me ngjyrë portokalli, brenda të cilëve u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 79 kg kanabis. Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi i mësipërm, kishte si destinacion Turqinë.
Veprimet proceduriale të rastit u kryhen nga Specialistët e Seksionit për Narkotikët, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb