TIRANE – Kryeministri Edi Rama reagoi pas akuzave të ish-kryeministrit Berisha dhe Forumit Rinor Demokrat, për përfshirjen e FRESSH-it në trafikun e drogës me autobus drejt Turqisë.

“Kur mendon se horrllëku i baltës s’ka ku shkon më tutje, ka prapë edhe më tutje!… Sulmi i baltës sot ndaj FRESSH-it, shembulli më i freskët!”, – shkruan Rama në rrjetin social “Facebook”.

Më herët, Kryetari i FRPD-së, Belind Këllici deklaroi se “dekriminalizimi duhet shtrirë edhe më gjerë”, ndërsa i referohej lajmit të përhapur në disa media se në autobusin me të cilin udhëtonin të rinj të FRESSH-it dhe disa pasagjerë të rastësishëm, policia kufitare e Turqisë ka gjetur drogë mbrëmjen e së premtes.

Kryetarja e FRESSH-it, Joleza Koka pohoi në një intervistë televizive se në autobus u gjet drogë, por se lënda narkotike nuk i përket aktivistëve të FRESSH-it. Droga sipas saj, u është gjetur pasagjerëve të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me grupin dhe i janë bashkuar udhëtimit pasi kishin të njëjtin destinacion.

Autobusi ku udhëtonin 35 anëtarë të FRESSH dhe disa pasagjerë të rastësishëm ishte nisur nga Tirana në drejtim të Stambollit, duke kaluar më parë përmes Greqisë. Droga është zbuluar në pikën doganore të Ipsala-s, që ndodhet në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë. Për pasojë shoferi i autobusit, ndihmës shoferi, guida dhe një tjetër person janë ndaluar nga policia.

BASHA: TI, DROGA DHE TRAFIKU JENI NË SIMBIOZE PERFEKTE
Pas reagimit të kryeministrit Rama, kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se “nuk ka horrllëk më të madh se sa të mbulosh vendin me drogë e të qeverisësh me trafikantë.”

“Horrllëk është kur ministri yt i jep makinën private trafikantëve, kur deputeti yt që e ke bërë pasha të jugut propagandon kanabisin, kur drejtuesit e policisë emërohen nga klanet kriminale. Ti dhe droga e trafiku i saj jeni në simbioze perfekte, ndaj refuzove testin e saj. Këtë horrllëk ia shërben ti si model të rinjve dhe të rejave të FRESSH. Askush nuk gëzon nga kjo ngjarje, dëshmi tronditëse ku është katandisur vendi, me drogën biznes të miqve të tu me trafikantët që i ke sjellë deri në parlament. Ti je përgjegjës e askush tjetër për këtë dramë të vendit. Përgjegjës që ngrefesh si kokosh me fatkeqësitë e qytetarëve. Por dita e gjykimit po afron.”- deklaron Basha.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: