HIMARË

Janë sekuestruar 16 kg lëndë narkotike të llojit kanabis në një automjet në Himarë, ndërsa në pranga është vënë poseduesi i saj.

Sipas policisë, në pranga ka përfunduar shtetasi me iniciale  A. A., 29 vjeç, banues në fshatin Vokopolë, Berat. Fillimisht është pikasur makina e dyshimtë dhe pas ndjekjes është bërë e mundur ndalimin i mjetit, e ku më pas u gjet në bagazh edhe lënda narkotike, që dyshohet se do të trafikohej nga shtetasi i lartpërmendur.

Njoftimi i policisë:

“Operacion antidrogë i koduar “Vunoi”. Sekuestrohen 16 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa në një automjet. Vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me forcat e FNSH-së Fier, në vijim të kontrolleve të shtuara për kapjen e personave që qarkullojnë me armë apo që tentojnë të trafikojnë lëndë narkotike,  bazuar edhe në informacione të marra në rrugë operative, janë vënë në ndjekje të një automjeti të dyshimtë në aksin rrugorë Himarë-Dhërmi, të cilin e kanë ndaluar në  kthesën e Jalit.

Nga kontrolli i ushtruar në automjet, është gjetur në bagazh një sasi lënde narkotike prej 16 kg e dyshuar si Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, Seksioni Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve Vlorë, ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit shtetasin A. A., 29 vjeç, banues në fshatin Vokopolë, Berat. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi  iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb