FIER- Drejtoria Rajonale e Shendetësisë në Fier ka përgënjështruar sot kronikën dhe shkrimin e publikuar në emisionin ‘Kaktus’, me titull: “Tërnova se kthen në punë, drejtori që nuk njeh as gjykatën, as Beqajn as Ramën”, me anë të dy dokumenteve që pasqyrojnë letërkëmbimin e Drejtorisë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe që lidhen me çështjen në fjalë.

“Emisioni dhe shkrimi në fjalë trajton rastin e marrëdhënies institucionale ndërmjet Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë në Fier dhe ish-punonjëses së kësaj drejtorie, znj. Floresha Kalemaj, e cila ka qenë e punësuar në këtë drejtori nga viti 2006 deri në vitin 2011. Aktualisht zonjës Kalemaj, me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Vlorë(2014), i është njohur e drejta e dëmshpërblimit për pushim nga puna në vitin 2011, ku gjykata ka vendosur dhe masën e dëmshpërblimit 7 milionë e 200 mijë lekë.

Deri në këtë moment Drejtoria nga shuma totale i ka dëmshpërblyer 2 milionë e 200 mijë lekë, mbeten dhe 5 milionë lekë ende të pakthyera. Për sa më sipër, Drejtoria në vitin 2014 i ka kërkuar një fond Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim likujdimin e plotë të ish-punonjëses Kalemaj sipas ligjit. Nga buxheti i akorduar për Drejtorinë Rajonale të Shëndetësisë Fier, për vitin 2015, fondi ende nuk është mundësuar prej ministrisë.

Në këto rrethana Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Fier e ka të pamundur dhe jashtë kompetence ekzekutimin e pagesës, pasi është institucion varësie dhe nuk e ka në tagrin e saj përpilimin e buxhetit dhe zërave të veçantë.

Pretendimet e gazetarit të emisionit ‘Kaktus’ se Drejtori Tërnova nuk pranoi të ballafaqohej duke u sjellë sikur të ishte në një pronë private, sqarojmë si më poshtë:

1. I vetmi person që në atë Drejtori u soll si në pronë private është gazetari, ai ka hyrë në institucion dhe në zyrën e Drejtorit në mënyrë të papritur, pa pyetur askënd, duke thyer rregulloren e institucionit.

2. Gazetari duhej të kishte kontaktuar zyrën e informacionit dhe Marrëdhënieve me Publikun të Drejtorisë dhe t’i parashtronte kërkesat dhe objektivat e tij konkrete mbi çështjen dhe zyrtarët që ai dëshironte të kontaktonte. Gazetari nuk e ka bërë këtë gjë dhe Drejtoria nuk ka asnjë detyrim për të kompesuar paditurinë e gazetarit mbi mënyrën e tërheqjes së informacionit.

3. Marrëdhënia dhe mosmarrëveshjet mes Drejtorisë dhe ish-punonjëses Kalemaj kanë kaluar një procedurë të gjatë ligjore dhe administrative. Ndaj dhe gazetari apo dhe cilado media mund të

interesohej konkretisht mbi këtë procedurë madje mund të tërheqë dhe dosjen e plotë, por kurrsesi duke imponuar kapriço apo anshmëri në raport me Drejtorinë.

4. Drejtoria nuk mban asnjë përgjegjësi për cilindo gazetar apo media, që me copa shkresash të shpërndara del në konkluzione juridike mbi çështjen, apo dhe më tej në konkluzione politike, sikur Drejtori nuk pyet për ministrin, Kryeministrin dhe Gjykatat. Këto konkluzione janë anti-profesionale, të pavërteta dhe në kundërshtim me praktikën ligjore mbi këtë çështje dhe reflektojnë standardin profesional të gazetarisë që mësyn zyrat dhe nuk di ABC-në e kontaktimit të një institucioni shtetëror.

Sa më sipër sqarojmë të gjitha mediat dhe opinionin publik, se Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Fier është e hapur për informimin e të gjitha mediave, për cilëndo çështje, në përputhje me ligjin dhe procedurat profesionale të marrëdhënies media-institucion.

Cilido gazetar që kapërcen me arrogancë dhe ngut këto standarde, reflekton mungesën e profesionalizmit ose dhe më keq, tendencën për intimidim të institucioneve dhe gjobëvënie tërthorazi ndaj institucionit apo zyrtarëve të tij, përfundon deklarata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb