Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vënë në pranga një oficer krimesh të komisariatit nr. 4 në Tiranë.

Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetari Igli Çelmeta.

Mësohet se oficeri, i identifikuar si Kastriot Palushi, është arrestuar në lidhje me veprën penale të korrupsionit.

Ende nuk dihen detaje të tjera në lidhje me ngjarjen.

Njoftimi: 

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve intensive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksiinit të Përgjithshëm Tiranë, duke aplikuar edhe metoda speciale të hetimit, ka arrestuar në flagrancë oficerin e policisë, Nënkomisar K. P., 35 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga hetimi i kryer, u administruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet e policisë gjyqësore, ka kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje.

Në përfundim të veprimeve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 50 mijë lekësh, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumenta të tjera që lidhen me ngjarjen.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë me prova ligjore, si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: