Kryeministri Edi Rama deklaroi se nga punimet e Kongresit të PS se vitin e ardhshëm pret një fitore të madhe politike, jo thjesht numerike, në zgjedhjet parlamentare. Opozitën, Rama tha se nuk e sheh askund, duke e anashkaluar kështu si rivale potenciale për t’i marrë pushtetin. Kreu i qeverisë shpalosi objektivat e mandatit të ardhshëm nga 20 mln turistë, korridoret rrugore ai Blu dhe VIII, pista e Formula 1 në Elbasan, aeroporti i Vlorës dhe porti i ri tregtar i Durrësit.

Një tjetër objektiv, tha Rama, është mbajtja e punimeve të samitit të NATO-s në Shqipëri në vitin 2027, kandidaturë e cila siç tha kryeministri është dorëzuar në selinë e Aleancës. Gjithashtu, Rama tha se mandatin e ardhshëm synohet kthimi i Shqipërisë në vend eksportues energjie.

“Dua një fitore të madhe në vitin 2025. Nuk dua një fitore aritmetike. Ata që kemi përballë, në realitet ku janë? Thelbi është një fitore politikisht e madhe në raport me veten. Dua që PS kur të dalë në sheshin e betejës elektorale vitine ardhshëm të jetë pasqyra ku shqiptarët të shikojnë veten, shpresën, ambicien, fuqinë e madhe që ne duhet të mobilizojmë për ta ngjitur Shqipërinë në atë majën e bukur të 2030.

Në mandatin e 4 do përfundojmë ato që kemi nisur, korridorin blu nga muriqani e deri në Kakavijë. Korridorin 8 që po merr formë në zonën Elbasan-Pogradec, e me radhë kantieret e nisura e ato që presin, do të duhet të rrimë deri nesër. Do ta bëjmë brenda mandatit të 4 edhe pistën e garave të Formula 1 në Elbasan. Do ta fusim Shqipërinë në klubin prestigjioz të shteteve ku zhvillohet Formula 1 me 1 miliard shikues të dielën. Do të hapim mandatin e 4 edhe aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Do ua sjellim vlonjatëve turistët edhe me avion që tua vendosin çmimin e taksisë nga aeroporti në Vlorë më shumë se çmimin e biletës nga Londra-Vlorë. Vlonjatët, s’ke ça iu bën, ne shkojmë përpara ata shkojnë edhe më përpara, e kur ngelin thonë: “ore ku vatët?”. Do hapim portin e ri tregtar dhe ushtarak të Durrësit ndërtimi i të cilit nis këtë mandat, gara shpallet këto ditë, kantieri do të hapet këtë mandat, do ta çojmë në 20 mln numrin e turistëve të huaj. Do ta bëjmë Shqipërinë eksportuese neto të energjisë, duke i dhënë sigurinë e plotë energjetike si një vend që s’ka nevojë të shtrijë dorën për të blerë energji.

Qershia mbi tortë në mandatin e 4 duam që të kemi në Tiranë Samitin e NATO-s. Kemi vënë kandidaturën për vitin 2027, nuk do iu ndahemi, do iu qepemi që t’i bindim se s’ka më mirë se Shqipëria. Nuk do t’i çojmë në Vlorë, s’po i bëj antireklamë Vlorës se gatuajnë shumë mirë por më kanë mërzitur shumë me ato çmime”, tha kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb