Pas periudhës së kombëtareve, Armando Broja është gati të kontribuojë për Everton. Sulmuesi kuqezi është drejt rikthimit në formë, teksa luajti 28 minuta ndaj Anglisë, ndërsa 75 minuta ndaj Andorrës, me sfidën ndaj modestëve ku dha edhe asist.
Mesazhi ishte i qartë edhe për trajnerin e ekipit të Premier League David Mojes, me Brojën që u shpreh se mund të luajë në të gjitha pozicionet në sulm dhe se dëshiron të shënojë sa më shumë gola.
Një deklaratë e tillë ka futur në mendime edhe vetë Mojesin, që me siguri nuk do hezitojë të vendosë të luajë me lojtarin, që në ndeshjen e radhës.
I aktivizuar në vetëm 6 ndeshje dhe i penalizuar për shkak dëmtimi, 23-vjeçari shihet si një “armë” e duhur për Mojes, që mund ta përdorë për të mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Deri në fund janë edhe 9 ndeshje, me Brojën që do synojë që të tregojë veten. Broja është i huazuar tek Everton nga Chelsea deri në fund të edicionit me mundësi blerjeje.