Dueli i kreut i zhvilluar në “Niko Dovana” ka parë triumfues ekipin e Blendi Shkëmbit, që ka mposhtur me një gol të vonë nënkampionët e Kukësit. Ka qenë një ndeshje e bukur ajo e luajtur në Durrës, ku portierët respektivë kanë pasur shumë punë për të bërë.


Gjithsesi ndeshja merr tjetër rrjedhë në minutën e 72-të, kur Maliqi merr kartonin e dytë të verdhë dhe lë me 10 lojtarë Kukësin. Vendësit shpresojnë më shumë te sukesi dhe momenti delikat vjen në minutën e 82-të, kur Enea Jorgji e cilëson faull një kontakt mes Kotobellit dhe Rustem Hoxhës, duke akorduar penallti për Teutën, të cilën e kthen në gol Sherif Kallaku.


Do të mbyllet 1-0 për Teutën, që ngjitet në krye të renditjes së bashku me Bylisin në kuotën e 11 pikëve dhe lë pas shpine pikërisht Kukësin me 10 pikë.


Në “Loro Boriçi” Vllaznia arrin një fitore të madhe ndaj Skënderbeut, duke triumfuar me shifrat 4-0. Heroi i shkodranëve ka qenë kapiteni Gilman Lika, autor i dy golave nga pika e bardhë e penalltisë. Fillimisht Lika ekzekutoi saktë penalltinë e akorduar në minutën e 40-të pas ndërhyrjes së Turtullit ndaj Krujës, ndërsa në të 68-ën përsërit të njëjtën gjë nga 11 metrat pas një tjetër faulli të Turtullit, kësaj radhe ndaj Shtubinës.

Skënderbeu praktikisht dorëzohet, ndërsa 6 minuta nga fundit i riu Zogaj deh mbrojtjen bardhekuqe dhe thyen Koliçin duke shënuar një gol mjaft të bukur, ndërsa në minutën e 95-ët është Higor që shënon pokerin kuqeblu pas harkimit të saktë të Gilman Likës. Ky sukses e ngjit Vllazninë në kuotën e 9 pikëve, po aq sa edhe Skënderbeu.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb