Fitorja në derbi ka kthyer qetësinë në kampin e kuq dhe me këtë atmosferë po përgatitet sfida e sotme me Teutën.

Përballja me durrsakët është ndër të paktat në këtë sezon që trajneri Franko Lerda e përgatit me konsensusin e të gjitha hallkave të klubit të kuq. Por, te Partizani janë të vetëdijshëm se pa fitoren ndaj durrsakëve, edhe triumfi i derbit do të zbehej. Stafi teknik në përgjithësi e ka të plotë grupin, por “demat” nuk mund të mbeteshin pa një problem edhe për duelin me Teutën.

Momentalisht i vetmi lojtar i Partizanit që mbetet në dyshim për nesër është Lorenc Trashi, i cili ka peshë të madhe në ekip, pasi me paraqitjen në krahun e majtë ka ndikimin e vet në lojën e skuadrës. Numri 19-të i të kuqve pësoi një dëmtim në kavilje në derbi dhe për shkak të atyre goditjeve që mori në atë takim, u detyrua të dalë nga fusha në minutën e 81-të. Gjatë seancave të kësaj jave për Teutën, 27-vjeçari është përgatitur i diferencuar nga grupi. Edhe dje Trashi ka ndjekur këtë program individual, duke bërë që trajneri Lerda ta mbajë pezull formacionin për nesër.

lorenc trashi

FORMACIONI- Gjendja dhe gatishmëria e gramshiotit do të vlerësohet gjatë seancës së sotme, ku pritet të vendoset edhe për formacionin e mundshëm. Me Trashin të gatshëm dhe me rikuperimin e plotë të Deian Boldor, trajneri Lerda mund të preferojë skemën me tre mbrojtës. Pra, me këtë dyshe gati, trajneri mund ta rreshtojë ekipin me modulin 3-5-2 ose 3-4-3.

22

Në rast se stafi nuk do të rrezikojë me Trashin, të kuqtë mund të kthehen te skema 4-3-3, ose 4-1-4-1, me të cilën triumfuan edhe në derbin e fundit të kryeqytetit. Për këtë ndeshje konkurrenca më e madhe është në mesfushë, pasi me rikuperimin e Telushit, të gjithë janë të gatshëm, kështu që ka “dhimbje koke” për Lerdën për të përcaktuar se kush do të jetë titullar ndaj Teutës.

SHTIMI I ALTERNATIVAVE- Hektor Idrizaj dhe Amir Bilali janë dy alternativat shtesë për trajnerin Lerda për ndeshjet në vazhdim. Të dy mbrojtësit, pas debutimit me Partizanin B dhe aktivizimit në Kupë ndaj Vorës, janë të gatshëm për të dhënë kontributin edhe në Superiore. Idrizaj është një alternativë që mund luajë në të dy krahët e mbrojtjes.

Me Trashin të pamundur, Idrizaj dhe Hakaj shikohen si zëvendësuesit e mundshëm edhe për skemën me 3 mbrojtës, por edhe me katër. Mbrojtësi vlonjat bën që me skemën me katër të luajë në të djathtë duke bërë që të mos sakrifikohet më Mala. Ndërsa qendërmbrojtësi Bilali jep garanci edhe për rreshtimin me tre prapa, edhe në rast se minon ndonjëri mes “3 B”-ve, Bitri, Boldor, Belica./Panoramasport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb