Po mbahet sot një takim i kryeministrit Edi Rama dhe ministres Albana Koçiu me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Rama u tregua i prerë kur tha se ka marrë fund historia e shefave të departamenteve dhe drejtuesve të spitaleve që i shërbejnë edhe sistemit publik dhe kanë në pronë apo janë në punë edhe në sistemin privat.

Kreu i qeverisë shtoi se do të ngrihet një grup menaxherësh të huaj të cilët do të asistojnë drejtuesen e re të QSUT dhe drejtuesit e tjerë të spitaleve në mënyrë që shkohet drejt autonomisë spitalore

“Ne do të vijojmë punën jo vetëm me masat e paralajmëruara nga ministrja e Shëndetësisë.
Historia e shefave të departamenteve dhe drejtuesve të spitaleve që i shërbejnë edhe sistemit publik dhe kanë në pronë apo janë në punë edhe në sistemin privat, histori që e dimë mirë nga vjen ka marrë fund. Vjen nga historia e kalimit nga një sistem i centralizuar në një sistem ku hyri në mes kapitalizmi dhe nga mungesa e çdo kapaciteti e baze për të ndërtuar një sistem autonomie që i shërben mjekëve profesionistë që të mund të shpërblehen në bazë të performancës. Ne do të angazhojmë grup menaxherësh të huaj për të asistuar nga afër drejtuesen e re të QSUT dhe drejtuesit e tjerë të spitaleve të kësaj qendre në mënyrë që të garantojmë sa më mirë edhe hapjen të kapitullit të domosdoshëm të autonomisë spitalore që kjo qendër duhet ta ketë dhe që kësaj qendre duhet t’i japë fleksibilitetin për të shpërblyer profesionistët sipas meritës, jo me tavanet e njëjta”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: