Dita e martë, do të jetë edhe dita e fundit sa i përket raundit të 16-ave të Euro 2024, në të cilën do të luhen dy sfida Rumani-Holandë si dhe Austri-Turqi. Padyshim spikat sfida Rumani-Holandë, me “tulipanët”, që janë favoritët kryesorë në letër, por që duhet të tregohen të kujdesshëm përballë një Rumanie, që nuk ka asgjë për të humbur. Holanda nuk ka treguar vazhdimësi deri tani në këtë evropian, pasi e nisi shumë mirë pas fitores me Poloninë në ndeshjen e parë, por në dy ndeshjet e tjera në grup, loja e të besuarëve të Ronald Koeman la shumë për të dëshiruar.

Barazim pa gola me Francën, por mbi të gjitha humbja 2-3 ndaj Austrisë, ngriti këmbanat e alarmit tek “portokallinjtë”, të cilët u kualifikuan, pasi u renditën të tretët në grupin e tyre.
Në konferencën e zakonshme për shtyp përpara sfidës, u pa një Koeman i shqetësuar, pasi edhe ai e di fare mirë se tani gabimet nuk lejohen më.
“Jemi të kënaqur që luajmë në këtë fazë, por padyshim mund të luajmë më mirë. E kemi kapacitetin si skuadër për ta bërë diçka të tillë. Ndaj Francës dhe sidomos ndaj Austrisë ishim të “varfër”, nuk krijuam. Duhe të marrim më shumë përgjegjësi në fushën e lojës.

Sfida Rumani- Holandë do të luhet të marten e 2 Korrikut, ora 18:00, në Allianz Arena të Mynihut dhe do të drejtohet nga gjyqari i mirënjohur gjerman Felix Zwayer.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: