Kryetari i PD Sali Berisha, u ka lënë detyrë drejtuesve të PD në qarqe që të regjistrojnë të gjitha takimet që organizojnë me qytetarët, për t’i postuar më pas në rrjetet sociale.
Ai u shpreh se në këtë mënyrë do të përmbytet propaganda e qeverisë dhe censura që po i bëhet PD.
“Duke nisur nga nesër regjistroni çdo takim, ekspozojeni në rrjetet sociale, Facebook, Twitter, Instagram, dhe faqen e PD, pa përjashtim në të gjitha. Ju garantoj se në këtë rrugë ne do të përmbysim propagandën mashtruese të katër mediave të klonuara nga zyra e Edi Ramës dhe ERTV e tij.
Sot rrjetet sociale dhe portalet kanë meritën më të jashtëzakonshme të agjencisë së censurës dhe të nxjerrjes si Don Kishot të gjithë ata që mashtrojnë me lajme”, tha ai.
Berisha ka shtuar gjithashtu se duhet të përgatiten për mosbindje të zgjatura civile dhe protesta, ndërsa shtoi se pesha për këtë u bie pikërisht drejtuesve në qarqe.
(BalkanWeb)