Edhe pse e dinte se gjendja shëndetësore e ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara Xhimi Karter ishte rënduar dhe po shkonte drejt fundit, nju jorkezja Suzzane Taylor u trondit nga njoftimi se ish presidenti 98-vjeçar dhe familja e tij vendosën që momentet e fundit të jetës ai t’i kalonte në shtëpi në Plaines, të Xhorxhias, nën kujdes profesional për mbajtjen nën kontroll të dhimbjeve.
“Po haja mëngjes kur mësova lajmin. Qava shumë”, i tha ajo Zërit të Amerikës gjatë një interviste me Skype. “Ishte një sinjal se duhet te përgatitemi për humbjen e tij”.
Mes viteve 2006 deri në 2019, zonja Taylor ishte mes qindra vullnetarëve që punuan në krah të zotit Carter dhe bashkëshortes së tij Rozalin në projektin vjetor “Habitati për Njerëzimin”, përmes të cilin ndërtohen shtëpi për njerëzit në nevojë në mbarë botën.
“Janë kaq shumë njerëz që e vlerësojnë atë”, tha ajo. “Ai kishte shumë ndikim dhe mbyllja e epokës së tij do jetë e vështirë”.
Për këtë bie dakord edhe shkrimtari Jonathan Alter.
“Është e trishtueshme sepse ai ka udhëhequr një stil jetese epike amerikane”, tha ai.
Zotit Alter iu deshën 5 vjet për të shkruar biografinë rreth Jimmy Carter, me titull “Më e mira e tij”. Për shkak të librit, ai mundi të intervistonte dhe vëzhgonte ish presidentin para se gjendja e tij shëndetësore të dobësohej.
“Nëse kthehemi pas dhe kujtojmë jetën e tij, ai fitoi në jetë. 98-vjeç, presidenti më jetëgjatë, lumturisht i martuar për pothuajse 77 vjeç”, shpjegoi zoti Alter për Zërin e Amerikës.
“Mendoj se Xhimi Karter po ikën nga kjo jetë sipas mënyrës së tij. Ai ishte Presidenti i parë që lindi në spital, por nuk dëshiron të shuhet në spital. Ndaj ai po kthehet në shtëpi, në shtëpinë që ai dhe Rozalin ndërtuan në 1961 dhe që ka një vlerë prej 160,000 dollarësh. Në atë shtëpi kupton pak prej modestisë së tij, në atë shtëpi ku ai i prodhoi vetë një pjesë të mobiljeve. Ai po përgatitet të ikë nga kjo jetë në qytetin e 660 banorëve, ku edhe lindi”, shtoi ai.
Pasi demokrati Karter humbi presidencën në vitin 1980 përballë republikanit Ronald Reagan, zoti Alter tha se popullariteti në rritje i zotit Karter u mundësua nëpërmjet vullnetarizmit të tij me organizatën Habitati për Njerëzimin, me përpjekjet e tij për të nxitur paqen dhe për të luftuar sëmundjet tropikale nëpërmjet programeve në Qendrën Karter, si dhe me zërin e tij prej një politikani të sprovuar dhe një burri shteti.
“Historianët dhe njerëzit që dëshirojnë një pamje më të plotë duhet të përqëndrohen tek mënyra se si presidenti ndryshoi botën, ndryshoi jetët e njerëzve, dhe ky është një lloj vlerësimi i ndryshëm që kërkon më shumë kohë dhe që nuk lidhet drejtpërsëdrejti me popullaritetin e tij si president”, tha zoti Alter.
“Ky është një person që megjithëse ishte në role aktive dhe pati menduar për gjëra thelbësore në vitet përpara se të bëhej president, e kaloi pjesën më të madhe të jetës duke menduar se çfarë mund të bënte për të përmirësuar jetët e njerëzve të tjerë. Dhe kjo është jashtëzakonisht e rrallë”.
Popullariteti i ish-Presidentit Karter u rrit edhe gjatë dekadave pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, nëpërmjet udhëtimeve në mbarë vendin duke dhënë autografë dhe duke promovuar dhjetëra librat që shkroi. Ai gjithashtu mikpriste grupe vizitorësh dhe dilte në fotografi me ta në kishën e tij të vogël në Plains, të shtetit të Xhorxhias, gjatë mësimeve të tij pothuajse të rregullta të katekizmit; aty ku një ditë pas njoftimit të vendimit të tij për tiu nënshtuar kujdesit profesional në momentet e fundit të jetës, mbesa e tij Kim Fuller udhëhoqi një lutje të të gjithë kongregacionit.
“Mendoj se në këtë pikë të jetës sonë, të atyre që i duam shumë dhe që po e përjetojnë këtë sot e në vazhdim, se ndoshta vjen momenti kur duhet kaluar stafeta”, u tha zonja Fuller pjesëmarrësve në kishë dhe atyre që ndiqnin transmetimin në Facebook. “Nuk di kush do ta marrë, pasi do jetë një barrë e rëndë”, tha ajo.
Zonja Taylor iu bashkua mijëra personave në mbarë globin që jepnin mesazhe mbështetjeje për presidentin e 39-të të Shteteve të Bashkuara dhe familjen e tij me rastin e njoftimit për shëndetin e tij.
“Dëgjoj shumë njerëz që e kanë takuar, që shkonin në shkollën e tij të katekizmit të dielave, që shkonin në aktivitetet e Qendrës Carter… Si Rozalin, ashtu edhe Xhimi, janë të afrueshëm dhe të hirshëm, dhe njerëzit mendojnë se arritën ta njohin vërtet”, tha zonja Taylor, që mendon se kjo është arsyeja përse lajmi për përkeqësimin e shëndetit të tij ishte kaq i vështirë për t’u pranuar nga shumë njerëz.
“Mendoj se afrimiteti i tij krijoi lidhje me shumë amerikanë të cilën nuk e kanë pjesa më e madhe e presidentëve. Prandaj mendoj se është më e vështirë dhe kjo është arsyeja përse njerëzit ndjehen të lidhur me të në një mënyrë të ndryshme”, tha ajo./VOA