DURRES- Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka reaguar për situatën në Durrës. Përmes një reagimi për mediat, Duka duke iu drejtuar kreut të bashkisë së Durrësi, Vangjush Dako, thotë se “qyteti është bërë si zonë lufte”.

Kreu i PAA ndalet tek investimet e nisura në këtë qytet, por për shkak të vonesës së punimeve, e kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen në rrugë.

“Meqenëse po flas për qytetin e Durrësit, nuk mund të lë pa përmendur një problem shume shqetësues të kohëve të fundit për qytetarët durrsakë. Është fjala për projektin “Veliera”. Nëse do të shkoni sot në Durrës, në afërsi të Vollgës për shkak të kantierit të këtij projekti, qyteti ka marrë pamjen e një zone lufte ku zbatimi në terren i këtij projketi është kthyer në një bombë ekologjike për qytetin”. shprehet Duka.

REAGIMI I KREUT TE PAA, AGRON DUKA
Në media është denoncuar vazhdimisht batërdia që po i bëhet mjedisit nga ky kantier ndertimi i cili është ngritur jashtë çdo parametri teknik dhe mjedisor, duke shkaktuar një ndotje të jashtëzakonshme pothuaj gjatë gjithë ditës.

Firma që po kryen punimet pa u shqetësuar aspak, vazhdon në mënyrë flagrante të depozitojë në det qindra ton inerte. Kjo është një arrogancë e pashoq që vazhdon prej muajsh nën hundën e Bashkisë Durrës dhe të qeverisë shqiptare.

Prandaj une nuk mund te jem indiferent ndaj ketij fenomeni, i cili nëse do të vazhdojë kështu, do të ketë pasoja të parikuperueshme për ekuilibrin natyror të krijuar me qindra vite. Unë shpresoj që Kryeministri do t’i tërheqë vëmendjen, vartësit të tij në krye të Bashkisë Durrës, arroganca e të cilit po e trajton Durrësin si e pronën e tij…….

Por përveç masakrës ekologjike që zbatimi i projektit “Veliera” po i bën Durrësit, ky investim vlerësohet i dëmshëm për qytetin edhe në aspektin e ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore. Që në ditën e prezantimit të tij si projekt, artitektë dhe arkeologë të shumtë e kanë kundërshtuar hapur, duke evidentuar dëmtimet që ai i sjell zonës arkeologjike të Durrësit dhe në mënyrë të veçantë sfumimit që i bën Torrës Veneciane.

Fadromat që punojnë për këtë projekt po varrosin monumente kulturore, po shkatërrojnë murin antik të qytetit. Unë nuk jam kundër projekteve të tilla pavarësisht kostos, por nuk mund të hesht kur konstatohet se zbatimi i tyre bëhet në shkelje të ligjit dhe jashtë çdo parametri teknik e mjedisor.

Nuk dua ta besoj, që Kryeministri është në dijeni që kompania e cila zbaton këtë projekt, nuk është pajisur me leje mjedisore.

-Si mund të nisen punimet pa marrë leje mjedisore?

-Kush e toleron këtë praktikë antiligjore?

Natyrisht që kjo bëhet me bekimin e Kryebashkiakut të Durrësit, ndonëse është gjobitur me 10 milionë lekë të vjetra për mungese të lejes mjedisore, firma ndërtuese dhe Bashkia Durrës vazhdojnë punimet gjithë arrogancë dhe indiferentizëm ndaj zbatimit te ligjit.

I bëj thirrje shoqërisë civile dhe qytetarëve durrsak të reagojnë me zë të lartë kundër kësaj masakre që po i bëhet qytetit antik. Nuk mund të rrinë kaq qetë kur bëhet fjalë për qytetin ku ata vetë jetojnë, ku do të jetojnë në të ardhmen, fëmijët e trashëgimtarët e tyre.

Ka një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2011, ku përcaktohet qartë se si duhet të bëhet ndërhyrja dhe administrimi i zonës arkeologjike . Është e shkruar e zeza mbi të bardhë se gërmimet në këtë zonë duhet të mbikqyren nga arkeologë. Këta të fundit duhet të jenë prezent non-stop dhe gjatë kryerjes së punimeve por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur.

Përgjegjësia për shkeljen e ligjit në këtë aspekt dhe shmangien e arkeologëve, është përgjegjësi direkt e Ministrisë së Kulturës, e Agjensisë së Shërbimit Arkeologjik dhe e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës Kombëtare në Durrës. Këto institucione duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e tyre gjatë gjithë kësaj kohe.

Në emër të Partisë Agrare Ambientaliste i bëj thirrje Kryeministrit dhe Kryebashkiakut të Durrësit, të ndalin punimet në këtë kantier derisa të vendoset në vend ligjshmëria në zbatimin e këtij projekti. Nga ana tjetër organet ligjzbatuese, të hetojnë krimin mjedisor që po i bëhet Durrësit dhe dëmtimet e monumenteve të kulturës.

Jo çdo shkelje e rregullave dhe e ligjeve amnistohet me shprehjen arrogante dhe megallomane, se une jam i zoti per zgjedhje dhe këtë do jua tregoj në zgjedhjet e rradës, sepse si po bëhen zgjedhjet në Durrës dhe në gjithë Shqiperinë këtë po e shohim të gjithë jo vetem ne te opozites .

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb