Futbolli shqiptar zgjedh sot nga Durrësi drejtuesin e ri për 4 vitet e ardhshme. Pas një fushate afro njëmujore, ku pati nga të gjitha dhe për më tepër zgjedhjet në FSHF morën një rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për opinionin sportiv, tashmë vjen momenti që 66 delegatë me të drejtë vote të vendosin mes tre kandidaturave: Armand Duka, Bashkim Fino dhe Shpëtim Hala.

Orët një ditë para zgjedhjeve kanë qenë të ethshme, nga ndarja në dy kampe të mbështetësve të Dukës dhe Finos te një frikë që ekziston për mbarëvajtjen e punimeve dhe deri te forcat shtesë për ruajtjen e sigurisë. “Panorama Sport” rendit katër gjërat që duhet të dini përpara se sot të mësohet presidenti i ri.

NDARJA NË KAMPE
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, kishte njoftuar dje anëtarët e asamblesë për një darkë zyrtare në hotelin ku sot do të bëhet procesi zgjedhor.

Kandidati Bashkim Fino e cilësoi këtë si gënjeshtër. “Kandidati për president, Armand Duka, ka nisur të telefonojë votuesit e Asamblesë Zgjedhore duke i ftuar që të darkojnë te hotel ‘Adriatik’ në Durrës me argumentimin se do jenë edhe dy kandidatët e tjerë për president.

Sqaroj të gjithë anëtarët se është një gënjeshtër, pasi unë nuk kam marrë asnjë ftesë të tillë nga ana e FSHF-së apo organizatorëve. Kjo është një tjetër manovër dëshpëruese e kandidatit humbës”, shkruante dje Fino. Por, çfarë ndodhi në të vërtetë?

Që dje u bë një ndarje në dy kampe, me mbështetës të deklaruar dhe të padeklaruar të Dukës, të cilët shkuan në Durrës për darkën zyrtare. Ndërsa nga ana tjetër, mbështetësit e Finos zgjodhën një takim në kryeqytet në hotel “Plazza”.

Përveç kryebashkiakëve të PS-së me të drejtë vote në asamble, ra në sy edhe prania e presidentit të Partizanit, Gazmend Demi, atij të Besëlidhjes, Gjok Noka, si dhe administratorit të Korabit, Fehmi Mëziu. Gjithashtu, pjesë e darkës ishte kryebashkiaku i Rrogozhinës dhe njëkohë- sisht presidenti i Egnatias, Beqir Nuredini.

Në Durrës, krahas zyrtarëve të FSHF-së dhe përfaqësuesve të UEFAs dhe FIFA-s, ishin edhe anëtarët e 12 shoqatave, si dhe presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima. Mes kryebashkiakëve ra në sy prania e Nesim Spahiut të Skraparit.

FORCAT SPECIALE
FSHF-ja ka kontraktuar një kompani sigurimi, e cila do të merret enkas me mbarëvajtjen e asamblesë në Durrës.

Në hotel “Adriatik”, sot, pritet një shtetrrethim, pasi, gazeta mëson se krahas punonjësve privat të sigurisë, aktiviteti do të ketë një mbikëqyrje të plotë nga Policia e Shtetit.

Pritet që në gatishmëri jashtë hotelit të jenë Forcat Speciale për t’i paraprirë çdo incidenti të mundshëm që ka lidhje me zgjidhjet, qoftë para, gjatë dhe pas punimeve të asamblesë.

MONITORIMI
Këto pragzgjedhje kanë pasur interpretime të ndryshme për monitorimin e tyre nga ndërkombëtarët duke iu referuar edhe vizitës së një prej zv.presidentëve të UEFA-s në Tiranë, Grigori Surkis.

“Lufta” është bërë për faktin se qeveria e futbollit europian nuk pranon ndërhyrjen e politikës në FSHF, duke paralajmëruar në njëfarë mënyre në prag të zgjedhjeve.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/duka-fino-prapaskenat-e-finales-se-madhe-per-fshf/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb