Jemi një muaj përpara ndeshjes Shqipëri­Serbi, organizimi i së cilës ka nisur kohë më parë. Pas takimit të kryeministrit Rama me ministrat e tij, kreun e SHIK­ut dhe presidentin e FSHF­së, ka qenë radha e një tjetër mbledhjeje, këtë herë, mes palës shqiptare dhe asaj serbe.

Ka qenë ambasadori i Serbisë në Shqipëri që ka zhvilluar paraditen e djeshme, rreth orës 11:00, në ambientet e FSHF­së, një takim me presidentin e FSHF­së, Armand Duka, i cili është mbajtur për rreth 45 minuta. Pas përfundimit të tij, Duka është përgjigjur për interesimin e mediave, duke bërë thirrje për ndeshjen Shqipëri­Serbi. “Temë e diskutimit ishte bashkëpunimi në organizimin e ndeshjes së 8 tetorit, Shqipëri­Serbi në Elbasan. Ishte një takim më shumë informues dhe fillimi i një programi bashkëpunimi për të organizuar sa më mirë ndeshjen dhe për të pasur “fair­play” nga të gjitha anët”, nis fjalën e tij Duka, që më pas i është përgjigjur edhe interesimit të mediave.

A kishte ndonjë shqetësim të veçantë të paraqitur?
Jo, jo. Absolutisht që asnjë shqetësim konkret, përveç merakut që duhet të jetë një ndeshje futbolli dhe asgjë më tepër sesa një ndeshje futbolli. Ajo që kemi nevojë në ndeshjen e 8 tetorit janë pikët apo klasifikimi dhe për t’u shërbyer atyre, duhet të bëjmë çdo gjë mirë. Çdo lloj mungese nga pikëpamja organizative e jona, apo çdo lloj incidenti që mund të ndodhë (unë jam i bindur, uroj dhe besoj se nuk do të ndodhë asgjë, sepse spektatorët tanë kurrë nuk kanë sjellë shqetësime. Jo vetëm në stadiumet shqiptare, por edhe në stadiume jashtë Shqipërie), pasi e pamë që patëm një organizim perfekt, një sjellje perfekte dhe një mbështetje perfekte të tifozëve në ndeshjen e fundit. Por, nëse, nëse, nëse…, të penalizuar do të jemi ne dhe askush tjetër përveç nesh.

Ka diçka konkrete sa u përket masave për ndeshjen?
Kemi filluar që një muaj më parë, duke u ulur në një tavolinë bashkë me të gjitha institucionet përgjegjëse në vend. Me institucionet e informacionit, të rendit për të pasur një organizim sa më perfekt. Kjo tavolinë do të vazhdojë. Shumë shpejt do të fillojë edhe shpërndarja e biletave në mënyrë të kujdesshme dhe të personalizuar.

A druheni se mos ngrihet ndonjë dron edhe në Shqipëri?
Nuk kam frikë nga droni, por kreativiteti mund të jetë i ndryshëm dhe nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë. E thashë edhe një herë se çdo veprim që do të ndërmerret, bëhet vetëm kundër Shqipërisë dhe kundër kurrkujt tjetër. Vetëm kundër ekipit kombëtar shqiptar më shumë mund të kem frikë nga ndonjë që nuk është shqiptar, sesa nga shqiptarët. Nga shqiptarët nuk kam frikë.

Një mendim për trajnerin De Biazi. Është thënë se ka marrë më shumë emër nga Shqipëria. Mendoni se ju ia keni dhënë pjesën më të madhe të “emrit”?
Këto janë komente që çojnë ujë në mullirin e tjetërkujt. Ne duhet të jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e futbollit. Futbolli është një sport kolektiv dhe asnjë nuk mund të bëjë i vetëm. Në një skuadër, patjetër që trajneri ka peshën e vet specifike, aq sa mund ta ketë. Çdo futbollist ka peshën e vet. Institucioni që organizon ka peshën e vet. Nuk bëhet fjalë se kush ka marrë “emër” nga tjetri. Ky është një sport kolektiv.

A na rrezikoi kualifikimin për në Francë humbja me Portugalinë?
Patjetër që na e rrezikoi, sepse me një pikë kishim shumë gjëra më të mira. Me një pikë, matematikisht, ishim shumë më afër kualifikimit. Kuptohet, nëse vetë Portugalia do të ishte më shumë e uritur për pikë në ndeshjen kundër Danimarkës, edhe ne ndofta mund të kalonim qoftë edhe me një barazim në dy ndeshje. Sot, matematikisht, na duhen dy fitore në dy ndeshje.

Një mision shumë i vështirë, por jo i pamundur.

Si i komentoni dy ndeshjet e Kombëtares?
Impenjim maksimal. Kemi dhënë maksimumin tonë, aq sa mund të bëjmë. Por, ky është futbolli. Kemi luajtur kundër dy ekipeve më të forta, mund të them në botë dhe jo vetëm në Europë dhe që në dy ndeshje të pësosh një gol, është diçka që mund t’i ndodhë gjithkujt. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta falënderoj shumë, shumë, shumë ekipin kombëtar. Nuk kanë marrë pak, një pikë, në dy ndeshje shumë të rëndë­ sishme. Ia kam thënë edhe publikisht skuadrës përpara ndeshjeve se ne nuk na eliminon as një gol i pësuar apo as një ndeshje e humbur. Ne duhet të shohim totalin e pikëve në katër ndeshje. Dy kaluan, kemi edhe dy të tjera 

Është raportuar se ka pasur një çështje “Kaçe”, ku menaxheri i tij ka debatuar me De Biazin dhe gjithashtu është thënë që ka ndërhyrë presidenti Duka. Sa e vërtetë është?
E kam lexuar vetëm në gazeta sikur menaxheri ka bërë debat dhe dua ta konsideroj edhe këtë si diçka që kërkon të na prishë punë. Nëse do të flasim për Ergys Kaçen, për mua, është një nga talentet shqiptare, i cili do ta ndihmojë ekipin kombëtar shqiptar dhe për këtë kam bindjen. Ia kam thënë edhe vetë Kaçes. Është i ri dhe besoj se në dhjetë vitet e ardhshme do ta kemi ndihmë në Kombëtare.

A keni diskutuar me De Biazin për rinovimin?
Absolutisht nuk e kam hapur këtë bisedë. Kam pasur përshtypjen që do ta hapja pas këtyre dy ndeshjeve, pasi ndofta kisha mendimin që do të ishim më mirë në klasifikim. Tani që i kemi të domosdoshme dy ndeshjet, nuk mund të hapim asnjë bisedë tjetër, përveçse të përqendrohemi fort, fort në dy ndeshjet e radhës. Kryesisht në ndeshjen e parë, pastaj të dytën.

Kjo do të thotë që rinovimi varet nga rezultatet?
Jo, nuk do të thotë këtë, por çdo lloj diskutimi do të na shpërqendronte nga objektivi kryesor. Unë besoj se ky është një objektiv madhor për futbollin shqiptar dhe është objektiv madhor edhe për trajnerin e ekipit shqiptar, qoftë edhe në planin e tij personal. Kështu që do të na largonte nga objektivi madhor i të gjithëve.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: