Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka beson te forca e grupit të kuqezinjëve për të marrë rezultate pozitive në Europian. Duka ka dhënë një intervistë për gazetën “Mapo”, ku ka folur 360 gradë për projektet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në vitin e Shqipërisë në Europë, presidenti Duka është i sigurt se kualifikimi është i mundshëm nëse kemi besimin e duhur. “Të gjitha skuadrat besojnë te kualifikimi. Edhe ne po ashtu”, thekson Duka.

Ai rrëfen se shumë shpejt kombëtarja kuqezi do të njihet me vendin që do ta mirëpresë në Francë, si dhe programi që do ndiqet. Presidenti Duka i kalon topin klubeve sa i takon çështjes së akademive dhe kultivimit të talenteve. Gjithashtu ai thotë se në përfaqësuesen kuqezi të femrave janë bërë shumë përparime në pesë vite.

Nuk ka se si mos ta nis intervistën me Europianin “Francë 2016”. Ku do të akomodohet përfaqësuesja jonë? Me çfarë synimi niset përfaqësuesja jonë dhe cilat janë objektivat paraprake të vendosura për këtë turne?
Sigurisht, mbërritja në finale të Europianit është, një arritje e madhe dhe historike. Do ta vlerësoja si më e madhja e futbollit shqiptar, në historinë e tij 110-115 vjeçare. Duke ju gëzuar kësaj arritjeje të madhe, ne të gjithë si ekip kombëtar, staf dhe Federatë, mendojmë se kemi ende për të treguar, gjatë finaleve dhe po përgatitemi për një gjë të tillë. Jemi të qartë për shkallën e vështirësisë por nuk shkojmë për turizëm në Euro 2016. Sa i takon akomodimit, jemi në fazën e studimit dhe konkludimit. Kemi përzgjedhur 3-4 variante. Besoj brenda muajit janar apo mesit të muajit shkurt, do të marrim vendimin përfundimtar, për vendin ku do të akomodohemi.

A e shikoni të mundshëm kualifikimin, duke parë formatin e ri të Europianit (skuadra e tretë më e mirë)?
Të gjithë, e kuptojmë se sa e vështirë është arritja e një objektivi të tillë. Besoj se të 24 skuadrat pjesëmarrëse në Francë e dëshirojnë një gjë të tillë dhe kjo shikohet si një objektiv parësor për pretendentët dhe synimi kryesor për skuadra më të vogla. Unë them se Shqipëria, gjatë kualifikueseve ka dhënë prova se mund të ballafaqohet si e barabartë me çdo lloj kundërshtari. Rritja e skuadrës është evidente dhe ne jemi të bindur, se në këtë pjesëmarrje të parë në këto finale, ne do të japim maksimumin. Nuk jemi skuadër favorite por do të luajmë të gjitha shanset tona për të dhënë maksimumin në Francë.

Kombëtaret e moshave dhe ajo e femrave janë ende larg pritshmërive. Rezultatet janë jo të kënaqshme?
Nuk ndaj të njëjtin mendim me ju, në lidhje me këtë temë. Sa i takon futbollit të femrave, ne jemi të ndërgjegjshëm që për një periudhë kaq të shkurtër, pra për pesë vjet nga krijimi i kombëtares A dhe dy-tre vjet i kombëtares U-19, të mund të arrinim rezultate. Ato duan kohë dhe shumë mund e përkushtim. Jemi të ndërgjegjshëm për këtë dhe po punojmë me programe të detajuara. Por mos harroni që ka edhe shumë vende me futboll të përparuar që e kanë të vështirë në këtë drejtim. Gjithsesi puna që kemi ndërtuar deri tani, ka krijuar një bazë për të ardhmen. Sa i takon skuadrave të moshave, mund t’ju them se prej shumë vitesh po bëhet një punë e kualifikuar dhe profesionale, që nis me seleksionimin dhe vazhdon me ndjekjen dhe mbështetjen e këtyre futbollisteve që premtojnë. Drejtoria e Ekipeve Kombëtare ka evidenca të plota dhe të dhëna për shumë lojtarë që luajnë jashtë Shqipërisë. Duke qenë se qëllimi kryesor i ekipeve të moshave është furnizimi me futbollistë të talentuar i skuadrës kombëtare, mendoj se është bërë dhe po bëhet një punë e mirë në këtë drejtim. Edhe në ekipin aktual shpresa janë disa futbollistë që janë përfshirë në planet afatgjata të trajnerit de Biazi dhe stafit të tij.

Çfarë po bëhet në këtë drejtim? Si po i josh FSHF talentet e reja? Cila është platforma që ju keni?
Prej disa vitesh organizohen seleksionime me kandidatë të skuadrave kombëtare për mosha të ndryshme. Çdo fillim viti, trajnerët e skuadrave kombëtare A, U-21, U-19, U-17 dhe specialistët më të mirë të FSHF, përgjatë një muaji zhvillojnë seleksionime në dy faza. I pari, me futbollistë kandidatë që aktivizohen jashtë Shqipërisë dhe i dyti me lojtarë që aktivizohen në Shqipëri dhe Kosovë. Tani që ne flasim, sapo është mbyllur seleksionimi me lojtarë për datëlindjet 1998-99 dhe 2000-2001 që luajnë në Greqi, Itali, Zvicër, Gjermani, ku janë parë nga afër rreth 400 kandidatë. Ndërkohë që pas disa ditësh do të fillojë edhe seleksionimi me futbollistë kandidatë, nga Shqipëria dhe Kosova. Ndërkohë një tjetër grup pune ndjek nga afër edhe futbollistë të talentuar që luajnë në vende të tjera dhe kanë tërhequr vëmendjen e specialistëve dhe mediave të huaja.

Kombëtarja kuqezi përbëhet nga lojtarë, që kryesisht luajnë jashtë trojeve tona, po talentet që luajnë brenda vendit, si do mund të vlerësohen nëse vijojmë kështu?! Çfarë po bëhet për këtë pjesë?
Vështirë të thuhet që gjatë një periudhe 10-12 vjeçare, vëzhgimit të specialistëve të FSHF, t’i ketë shpëtuar ndonjë futbollist, që është formuar dhe luan në Shqipëri. Po ju përmend Salihin, Shkëmbin e shumë të tjerë në 2005 për të vazhduar më pas me Bakajn, Hykën, Muzakën Vilën etj, apo me Lilën e Agollin, të gjithë të dalë nga kampionati shqiptar. Pa përmendur lojtarët aktualë të Shqipërisë, Balaj, Roshi, Vajushi dhe veçanërisht Hysaj, që kanë luajtur herët me të gjitha seleksionet e moshave. Në këndvështrimin tonë si FSHF, nuk ka ndarje mes lojtarëve që luajnë brenda apo jashtë Shqipërisë. I vetmi kriter është forma sportive dhe ajo që japin në fushën e lojës. Pra e meritojnë apo jo, të jenë në skuadrën kombëtare. Natyrisht duke qenë të ndërgjegjshëm, se duke u aktivizuar në kampionate të niveleve të larta, ata rriten më shumë profesionalisht dhe ky është një test i padiskutueshëm.
Një përgjigje më e drejtpërdrejtë për pyetjen tuaj, do të ishte kjo: Klubet shqiptare të futbollit duhet të punojnë më shumë nëpërmjet akademive të tyre që talentet, të përpunohen sa më mirë profesionalisht. Nëpërmjet mekanizmave tona, ne po ndërhyjmë për t’i ndërgjegjësuar sa më shumë ata, për t’i kushtuar talenteve sa më shumë vëmendje.

Koha e rikonstruksionit të “Arenës Kombëtare”, Çfarë kosto ka kjo Arenë për FSHF-në? Cila pjesë e financimit ju takon juve dhe cila Qeverisë Shqiptare?
Ky sigurisht, është një projekt gjigant për infrastrukturën sportive të Shqipërisë. Më i madhi, i ideuar dhe projektuar deri më sot. Siç ju e dini, ne bëmë një garë për ta dhënë me koncesion këtë projekt, garë e cila nxori dhe të preferuarin për të shkuar në kontratë, por gjatë negociatave kompania kërkoi garanci shtetërore, gjë e cila ishte e pamundur për ne dhe për Qeverinë. Në këto kushte qeveria ka ndryshuar pozicion për t’i krijuar kushte të reja për një bashkëpunim publik privat, thënë ndryshe për të realizuar projektin nëpërmjet investitorëve privat, duke i dhënë atyre mundësinë e shfrytëzimit të ambienteve komerciale. Tashmë jemi në përgatitje të dokumentacionit për të shpallur një garë të re në kushte të reja. Ky proces besoj se do të marri një periudhë 2-mujore dhe në përfundim te tij do te fillojë prishja dhe ndërtimi i kompleksit. Një nga kushtet e garës që ne do të shpallim do të jetë dhe përfundimi i kompleksit brenda 2 vjetëve.

Kur përfundon stadiumi i Shkodrës “Loro Boriçi”?
Vonesat në përfundimin e punimeve të stadiumit “Loro Boriçi”, kanë ardhur për një seri arsyesh. Kryesorja, ishte përfundimi i kontratës mes Bashkisë së Shkodrës dhe FSHF, gjë që pengoi fondet që ne kishim përfituar nga UEFA, për këtë projekt. Pavarësisht kësaj, mund të them, se futbolli shqiptar do të ketë në dispozicion një tjetër impiant të rëndësishëm dhe modern. Kjo është një tjetër vepër e rëndësishme dhe investim që lë gjurmë në rritjen e cilësisë së futbollit dhe me tepër. Brenda muajit mars çdo gjë do të jetë gati.

A jeni të kënaqur me impiantet e ristrukturuara në vend? Çfarë është menduar për kategoritë inferiore?
Mendoj se gjendja e infrastrukturës sportive në Shqipëri, ka ardhur vitet e fundit duke u përmirësuar dhe kjo sigurisht që ka ndikuar në rritjen e cilësisë sportive. Me donacionet e Federatës Shqiptare të Futbollit, të bashkive dhe vetë klubeve, janë bërë përmirësime të ndjeshme në shumë impiante sportive të Shqipërisë. “Elbasan Arena”, dhe “Loro Boriçi”, pasojnë ndërhyrjet dhe përmirësimet tek “Niko Dovana” Durrës, “Loni Papuçiu” Fier, “Flamurtari” Vlorë, “Luftëtari’ Gjirokastër etj. Gjithmonë ka vend për përmirësime dhe s’mund të thuash që kjo është idealja, por ndryshimet janë të mëdha dhe për të ardhmen nuk mungojnë projektet. Madje edhe në kategoritë më të ulëta. Ne kemi bërë herë pas here ndërhyrje dhe kemi mbështetur projekte të cilat kanë pasur si qëllim përmirësimin e pjesshëm të infrastrukturës edhe në klube që militojnë në kategoritë më të ulëta të futbollit shqiptar. Natyrisht, kjo është pjesë e strategjisë sonë në të ardhmen.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: