Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, si dhe rolin e partive të reja që do të konkurojnë në këto zgjedhje.
Në zgjedhjet e ardhshme për herë të parë do t’i jepet mundësia diasporës që të votojë në zgjedhje, ndërsa spektri opozitar ende nuk ka mundur të bashkohet kundrejt një mazhorance që do të garojë për mandatin e 4 qeveritar.
Partitë e reja apo ato të vogla, që mund të dalin të vetme në zgjedhje, mund të konsiderohen si opozita e opozitës, të paktën nga përfaqësues të PD-së. Po sa mund të ndikojë dalja të vetme në zgjedhje të partive të reja dhe atyre që konsiderohen si të vogla në raport me fragmentarizimin e votës?
Deputeti Adron Duka, kryetar i PAA-së, tha se partitë e reja që krijohen mund të kenë elektoratin e tyre, ndërsa partitë e krijuara nga Partia Demokratike, do të marrin vota nga kjo parti. Duka tha se Agron Shehaj është i djathtë, do të marrë vota nga e djathta dhe nëse nuk i konverton votat në mandate, atëherë kuptohet se do të dëmtojë të djathtën.
“Kemi disa parti, qoftë ajo e Enkelejd Alibeaj, Dashamir Shehit, Agron Shehajt, pra do të kemi një fragmentarizim të votës, atëherë si nuk e dëmtojnë opozitën?
Me Kodin Zgjedhor ne jemi të detyruar të hyjmë në një koalicion të madh, pasi penalizohemi shumë si forca që të konvertojmë në mandate votat. Ndaj duhet të hyjmë në një listë të përbashkët, në mënyrë që të kemi sa më shumë mundësi për të maksimalizuar votat”, tha Duka.
Por Agron Shehaj tha se një mënyrë e të parit të politikës është ajo afatshkurtër, pra të presësh rezultatin e shpejtë. “Kemi vota të djathta që nuk votojnë PD, e kanë ndarë mendjen, atëherë ata kanë një mundësi që të zgjedhin një forcë tjetër politike që është e djathtë, si partia Mundësia. Unë mendoj se kjo është e vetmja mënyrë që të arrijmë një rezultat, unë nuk mendoj vetëm për zgjedhjet e ardhshme”, tha Shehaj.
Ai tha se projekti politik që kemi krijuar nuk shikon vetëm zgjedhjet e ardhshme, por është afatgjatë.