TIRANE- I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, kreu i ALUIZNI, Artan Lame ka folur për pallatet e palegalizuara dhe arsyet se pse nuk arrijnë të marrin hipotekën. Lame tha se pallatet që nuk arrijnë të legalizohen kanë shumë probleme dhe janë shkelur ligjet. Ai tha se pallatin duhet ta legalizojë ndërtuesi dhe jo banori. Sa i përket pyetjes nëse do ketë amnisti për këto pallate, Lame tha e amnistia është bërë kohë më parë.

“Amnistia është bërë kur shteti tha se nuk do paguani tarifat dhe nuk do penalizoheni për nxjerrjen e lejeve, por shkoni bëni letrat dreqi ta hajë. Ai ligj i vitit 2006 u bë për show politik. Nuk duhet të harrojmë që një pallat që nuk regjistrohet dot ka shkelur ligjin. Pra është marrë për 600 metra leje dhe është bërë për 800 metra. Është marrë për 8 kate dhe ka bërë 10 kate. Pra ndërtuesit kanë shkelur ligjin.

Në fund të historisë kemi shkelur ligjin për 25 vite. Pronar i objektit është ai që ka ndërtuar, se m’u kujtua ajo shprehja ”Dukagjini zbret nga mali, merre tokën që ta fali”. Pra duhet ta legalizojë ndërtuesi dhe jo banori pallatin. Ne po mësojmë edhe rregullat edhe hilet. Të gjithë kemi faj, sepse ne kemi parë ekstreme. Ne kemi parë ndërtues që gënjejnë qytetarët edhe neve. Ka edhe qytetarë qiraxhinj që vijnë deklarohen si pronarë. Ka ndërtues që 1 apartament ja kanë shitur 2-3 personave”- tha Lame.

Ndër të tjera, kreu i ALUIZNI u shpreh se procesi i legalizimit të ndërtimeve është procesi më i komplikuar, pasi hyjnë në mes shumë faktorë.

“Një ndërtues që ka mashtruar qytetarët shkon në bashki dhe merr leje tjetër për të ndërtuar. Pra ky do bëhet hall për qytetarët dhe për qeverinë. Ne kemi bashkëpunuar me bashkinë për listat. Në listën e parë ka ndërtues që nesër do vijne të thonë patjetër hajde ta bëjmë. Është procesi më i komplikuar dhe është për të bërë libër. Realisht mund të jetë një nga procedurat më të komplikuara. Hyjnë në mes ndërtuesit, pronarët, qytetarët, qerexhinjtë, pronarët e truallit etj. Janë minimalisht tre palë në mes. Diku hyjnë edhe bankat pasi janë vënë koletarel. Unë mendoj se këtë situatë mund ta zgjedhim bashkërisht”- tha Lame.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: