DURRES-Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi me avokatët e Dhomës së Avokatisë së qytetit mbi platformën e saj për transparencën e bashkisë dhe mirëmenaxhimin e fondeve. Duma tha se ajo do të hapë një departament për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve ku për çdo problem që ata do të hasin do të kenë ndihmën ligjore falas të bashkisë. Ajo u shpreh se do të zbatojë një skemë për transparencë të çdo pune dhe shpenzimi të fondeve.

“U kam premtuar qytetarëve hapjen e një departamenti për mbrotjen e të drejtave të tyre ligjore. Unë propozoj disa skema të ndryshme në qeverisjen e Bashkisë së Durrësit. Kam nisur me konceptin e përfaqësimit të profesionistëve dhe grupeve të interesit në një Senat të Bashkisë së Durrësit. Kur kam folur për zyrat e mbrotjes së qytetarit, sigurisht që kjo do të vijojë me një plan bashkëngjitur që është edhe transparenca. Transparenca që fillon nga aftësia për të denoncuar. Do ta bëjmë atë me një lidhje direkt me zyrën e kryebashkiakut. Por nga ana tjetër transparenca fillon nga mënyra se si sillesh me operatorët. Besoj fort që nese qeveriset me normat e drejtësisë, edhe atëhere kur nuk mundesh të bësh disa gjëra, përsëri ke mundësi ti bësh nesër sepse njerëzit të besojnë tek ty”, tha Duma.

Kandidatja e djathtë u shpreh se skema e transparencës nuk do të lejojë shpërdorimin e asnjë paraje duke sjellë në vëmëndjen eskperiencën e saj si zëvëndësministrie e Integrimit në mirëmenaxhimin e fondeve prej mbi 80 milionë euro të IPA-s nga Bashkimi Europian.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: