Ish deputetja e PD, Grida Duma përmes një statusi në “Facebook” ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe publicistit të njohur Fatos Baxhaku.

“Fatos Baxhaku ishte ky njeri, një nga shumë të paktët. Një njeri që ruajti një mardhënie thelbësore me identitetin dhe cilësinë e thelbit të gjërave. Dhe kjo është ndër më të vështirat e qëndresave në botën që na rrethon”, shkruan Guma.

Postimi i Grida Dumës:

Shumë pak janë ata që arrijnë të përcjellin vërtetësi përgjatë gjithë momenteve të rëndësishme të jetës. Shumë pak janë ata që arrijnë të jenë po njësoj të pandryshuar, pavarësisht se sa janë provat e njëpasnjëshme që duhet të kalojnë. E pikërisht këta të paktë, duket sikur vihen në provë pas prove pa ndalesë, për të provuar se sa e papërkulshme është e vërteta e tyre dhe e vetes së tyre.

Fatos Baxhaku ishte ky njeri, një nga shumë të paktët. Një njeri që ruajti një mardhënie thelbësore me identitetin dhe cilësinë e thelbit të gjërave. Dhe kjo është ndër më të vështirat e qëndresave në botën që na rrethon.

Mendoj që jo vetëm nuk është tepri por është më pak se ai meriton të themi që tek ky individ u shpalos dukshëm misioni, jo thjeshtë profesioni i gazetarit. Ishte por edhe do të mbetet ndër ata personalitete të gazetarisë që koha do duhet ti dedikojë një biografi në letër apo ekran, si memorandum i trashëgimisë së vlerave në këtë vend.

Në të gjitha bashkëbisedimet me të përgjatë projekteve studimore, nuk gjej një qëndrim të vetëm që nuk kishte në themel të vërtetën e thellë shqiptare, atë të periferisë, të zonës së thellë, të kulturës së ngulitur e ngurtësuar.

Kujtesa për Fatos Baxhakun do të jetë përjetësim dhe vlerësim i tij.

Fatos Baxhaku do të jetë ndër ata të paktë që shkëlqejnë në përjetësimin pas vdekjes, sepse kanë lënë gjurmë e vepra që i kanë dhënë vendit pjesë të kulturës materiale dhe shpirtërore.

(n.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb