Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar mbi vlerësimin që iu bë kreut të SPAK, Altin Dumani, si ‘kampion i luftës kundër korrupsionit” dhënë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Arben Hajdarmataj, ish-drejtues në Policinë e Shtetit tha se  janë dy aspekte, në anën politike është vlerësim.

“Në aspektin teknik kjo ha diskutim, pra nëse jemi në ato nivele që ne të vlerësohemi. SPAK u ngrit me një rol të rëndësishëm të SHBA dhe normalisht mendoj se investimi i SHBA do mbrohet prej tyre dhe do komentohet shumë i frytshëm. Në çështjen e perceptimit të publikut nuk mendoj se është një qasje e drejtë. Mendoj se është një çmim i dhënë për procedurë”, tha Hajdarmataj.

Andi Hasanaj, avokat, tha se ky vlerësim është një mbrojtje ndaj SPAK, i cili është vënë nën sulme dhe akuza. “Titulli iu dha Dumanit, por është një mbështetje që iu dha gjithë strukturës së SPAK dhe BKH-së”, tha Hasanaj. Ai shtoi se SPAK ka dhënë goditje dhe ky është fakt, a duhej bërë më shumë, kjo mund të diskutohet. Avokati tha se deri më tani ka bërë një punë goxha të vlerësueshme.

Gazetari Fatjon Gjinaj tha se duke parë listën e atyre që iu dhanë çmimet, i vinte keq që Shqipëria renditet mes shteteve si Uganda, Gambia, Kolumbia apo të tjera vende.

“Ky është një vlerësim që vjen në përfundim të mandatit nga administrata Biden, e cila ka dhënë edhe kontributin më të madh për këtë reformë në drejtësi që kemi. Duhet të justifikohen me veten se ku kanë përfunduar paratë e taksapaguesve amerikanë”, tha ai.

Avokati Bledar Bejko e konsideroi një stimul të drejtë dhe plotësisht të merituar vlerësimin që iu bë Altin Dumanit, nga Sekretari amerikan i Shtetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: