Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani kërkoi gjatë një raportimi në Kuvend ndryshime ligjore për t’u lehtësuar nga çështjet e korrupsionit të vogël – që sipas tij janë një ngarkesë pune e panevojshme.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani raportoi të mërkurën para Këshillit Kombëtar të Integrimit për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Europian për sistemin e drejtësisë.
Dumani ngriti shqetësimin për një ngarkesë pune të panevojshme që lidhet hetimin e veprave të korrupsionit për shuma të vogla monetare, duke kërkuar ndryshimin e kufirit 50 mijë lekësh që është në ligj.
“Ky kufi monetar duhet të ndryshohet, SPAK duhet të fokusohet vetëm në hetimin e çështjeve të korrupsionit të madh,” u tha ai deputetëve, duke kërkuar ndryshime ligjore.
Sipas Dumanit, veprat penale të korrupsionit të vogël mund të hetohen nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Në analizë të punës, kreu i SPAK tha se janë rritur kapacitetet e burimeve njerëzore dhe se është bërë përparime në fushën e hetimit financiar me ngritjen e zyrës së posaçme me 24 hetues.
Por, ai kërkoi nga Kuvendi shtimin e organikës me ndihmës ligjore për prokurorët dhe një rishikim buxheti për investime në godinën e re ku do të zhvendoset kjo prokurori.
“Është për t’u cilësuar nevoja e akordimit të buxhetit të nevojshëm për plotësimin infrastrukturës së kësaj godine,” tha ai.
Në mënyrë statistikore, në 9 muajt e fundit SPAK ka regjistruar 151 procedime penale me 133 persona, ku nga këto 13 procedime u përkasin zyrtarëve të lartë. Sipas Dumanit, 15 zyrtarë të lartë janë aktualisht nën hetim, mes të cilëve një ish-ministër, një ish.zv.ministër, katër funksionarë të drejtësisë si dhe 6 ish-kryetarë të bashkive.
Ndërkohë, sipas tij, numri i procedimeve të dërguara në gjykatë ndaj ish zyrtarëve të lartë është rritur me 20 për qind dhe numri i personave të pandehur me 40 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Puna e SPAK u vlerësua nga opozita dhe nga mazhoranca, por kryetarja er Këshillit, Jorida Tabaku ngriti shqetësimin e zgjatjes së hetimeve në kohë.
Dumani u përgjigj se këto hetime kërkojnë kohë dhe janë të vështira, por po marrin rrugë me ngritjen e zyrës së hetimit financiar.
“Çështjet po adresohen nga ‘të fjetura’, që nuk kishin ku ta delegonim, kemi këtë sektor ku delegojmë një pjesë të mirë të hetimit që ka të bëjë me korrupsionin,” tha ai.
Ai shtoi se këto hetime kërkonin dhe kapacitete shtesë njerëzore dhe kërkoi nga Kuvendi miratimin e ndryshimeve ligjore për shtimin e ndihmësve ligjorë për prokurorët.
Përfaqësues të shoqërisë civile në këtë Këshill gjithashtu ngritën shqetësimet e tyre për zvarritjen e hetimeve apo problematika që shoqëronin procesin.
Erinda Skëndaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkoi të dinte nëse do të bëhen analiza për procedimet penale apo hetimet ndaj ish-gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të cilët procesi i vetingut kishte evidentuar përgjegjësi penale, për mosdeklarimin e pasurisë apo të të ardhurave.
“Pikëpyetja jonë është se si u krijuan këto pasuri dhe si ndërlidhet pasuria e pajustifikuar e këtyre subjekteve me korrupsionin dhe pse po zgjasin këto hetime,” pyeti ajo kreun e SPAK.
Dumani solli disa statistika për hetimet e përfunduara për këtë kategori, por ndërkohë e cilësoi të drejtë shqetësimin e KSHH-së, për mos ngritjen e akuzës për korrupsion për këta subjekte.
“Ne kemi ngritur akuzë për fshehje të pasurisë, apo dhe pastrim parash, por jo edhe për veprën penale të korrupsionit,” tha ai, duke shtuar se hetimi është bërë i plotë, por nuk janë gjetur elementë të kësaj vepre penale.
Ndërkohë, Agim Rrapaj i shoqatës së fermërëve dhe agrobiznesit kërkoi që të kishte rezultate sa më të shpejta të hetimeve për fondet e IPARD-it, pasi sipas tij, akuzat po dëmtojnë dhe po përbaltin këtë sektor.
Kreu i SPAK bëri të qartë se s’mund të fliste për çështje konkrete dhe për hetime që vijojnë./BIRN