Shpëtim Duro është trajneri i ri i Flamurtarit. Tekniku i njohur kryeqytetas do të prezantohet sot në klubin vlonjat dhe do të jetë për një sezon e gjysmë në krye të kuqezinjve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Duro tregon sfidat dhe objektivat në krye të Flamurtarit, pavarësisht momentit jo të mirë që po kalon kjo skuadër.

Profesor, përse pranuat të merrnit drejtimin e Flamurtarit, në një kohë që vlonjatët nuk po kalojnë një moment të mirë?

Emri im është përfolur që në verë për të marrë drejtimin e Flamurtarit, por nuk u realizua në atë kohë dhe tani m’u bë sërish një ofertë e tillë, të cilën e kam pranuar. Situata nuk është shumë e mirë, por puna e trajnerit është e tillë. Nuk kam pasur qejf që të marr drejtimin e ekipeve afër përfundimit të kampionatit, por kam edhe një kohë pak të gjatë pa drejtim dhe projekti i administratorit Idrizi m’u duk interesant, ndaj edhe pranova të marr drejtimin e ekipit.

Deri më tani, Flamurtari ka luajtur me një skemë 4- 3-3 të pastër. Do të ndryshojë diçka Duro në këtë drejtim?

Flamurtari është një skuadër me kapacitet, edhe pse nuk po kalon një moment të mirë dhe unë dua të ndryshoj diçka. Unë nuk e quaj lojën sulm dhe mbrojtje. Flamurtari është ekipi që, pas Korabit, ka pësuar 25 gola. Kjo është domethënëse, pasi Partizani, Kukësi ose Skënderbeu kanë pësuar nga 8 gola. Ky është një element jo pozitiv që ka ndikuar edhe në renditje.

Megjithatë nuk keni merkato në dispozicion dhe duhet të ndërtoni diçka me ata lojtarë që vlonjatët kanë në dispozicion?

Skuadra është, lojtarët janë dhe koha deri në ndeshjen e radhës është e shkurtër. Unë e kam ndjekur gjithmonë Flamurtarin, por edhe të gjitha skuadrat e kampionatit shqiptar. Unë nuk do të bëj ndryshime të shumta, por kam idetë e mia në mënyrën e zhvillimit të lojës.

Keni folur me administratorin Idrizi për objektiva konkretë?

Unë kam bërë një kontratë për një vit e gjysmë dhe objektivi i shkurtër është mbijetesa. Lufta është shumë e ashpër, megjithëse unë nuk e mendoj rënien nga kategoria, por do të jetë një garë shumë e egër. Unë vërtet kam bërë një kontratë me drejtuesit, por nëse skuadra del në Kategori të Dytë, unë di të marr edhe vendime të tjera. Por, nuk e besoj, pasi Flamurtari e ka kontingjentin dhe gjithçka që i duhet për të realizuar këtë objektiv.

Të gjithë ata që kanë punuar në Vlorë, flasin për një “tokë” jo shumë të mirë. Ju personalisht jeni i këtij mendimi?

Puna e trajnerit me një skuadër është e tillë në çdo vend, jo vetëm në Vlorë, pasi presioni ekziston. Unë kam drejtuar shumë skuadra në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj dhe puna e trajnerit është presion. Do mundohem të bëj maksimumin dhe të menaxhoj situatën. Një pjesë të lojtarëve i njoh mirë.

Para disa vitesh kur fitonit titullin kampion në krye të Skënderbeut, nga stadiumi i Flamurtarit keni dalë me forca speciale dhe tani ktheheni si trajner…

(Qesh). Unë jam profesionist dhe kam drejtuar shumë ekipe me emër në Shqipëri, por e kam pasur gjithmonë dëshirë që të drejtoj Flamurtarin, duke pasur parasysh emrin dhe figurat e futbollit që i ka dhënë futbollit shqiptar. Edhe pse nuk është momenti më i mirë, e kam pranuar këtë sfidë.

Emërimi juaj në krye të ekipit ka pasur një impakt të mirë edhe nga tifozët. Keni një mesazh për ta?

I falënderoj shumë dhe i ftoj që ta ndjekin skuadrën në këtë situatë të vështirë. Ftoj gjithashtu ish-futbollistët që të më kontaktojnë të gjithë për të shpëtuar Flamurtarin nga kjo situatë. Gjithashtu falënderoj Maganin për punën që ka bërë në përzgjedhjen e lojtarëve në verë, si dhe punën e bërë nga trajneri Mezani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: