Federata e Futbollit të Maqedonisë ka vendosur që përballjen me Shqipërinë ta “degdisin” në stadiumin e Shtrumicës. Një çështje e diskutuar prej kohësh dhe është ish-trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Shpëtim Duro, që e konfirmon diçka të tillë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Flamurtarit, i cili ka jetuar në Maqedoni për disa muaj, ka rrëfyer kushtet e impiantit “Mlladost”, si dhe arsyen e qartë përse është shmangur zhvillimi i ndeshjes me Shqipërinë në Shkup, në impiantin modern “Filipi i Dytë”.

Profesor, është vendosur që ndeshja mes Maqedonisë dhe Shqipërisë të luhet në stadiumin e Strumicës. Çfarë stadiumi është në atë qytet?

Kam qenë në atë stadium dhe nuk i ka kushtet për një ndeshje ndërkombëtare. Nuk krahasohet me stadiumin e Shkupit. Është shumë i thjeshtë. Ka një kapacitet shumë të vogël.

Çfarë kushtesh ka?

Kur kam qenë unë, kishte kushte shumë të thjeshta. Mbase janë rregulluar tani. Por stadiumi është shumë i vogël. Fusha ishte përmirësuar se e ndoqa nga televizioni, por ambienti është shumë i vogël. Gjithçka ka lidhje me faktin që është i vogël për nga kapaciteti. Kjo i intereson palës maqedonase.

Me gjithë diskutimet e shumta, federata maqedonase vendosi të luhej atje…

Unë këtë diskutim e dija, sepse në momentin kur u hodh shorti dhe Shqipëria ishte në grup me Maqedoninë, unë kam qenë atje. Që në momentet e para kur u hodh shorti, diskutohej që ata nuk do të vendosin që të luhet në Shkup.

Pse mendoni se është marrë ky vendim?

Është krejtësisht e qartë, pasi ai nuk është stadium i duhur për të pritur një kombëtare. E kanë bërë me qëllimin që të mos ketë shumë shqiptarë. Përafërsisht mund të ketë 400 shqiptarë, ndërkohë që po ju them se, nëse do të luhet në Shkup, minimalisht do të jenë 15000 mbështetës të Kombëtares shqiptare. E gjithë Maqedonia shqiptare do të vinte në stadium.

Çfarë kujtoni nga stadiumi në Shtrumicë?

Atje kam një kujtim interesant, që nuk do ta harroj asnjëherë. Ditën kur Shqipëria mundi Armeninë 0-3 dhe u kualifikua, unë kam zhvilluar një miqësore me Shkëndijën në atë stadium. Ndeshjen e Kombëtares e kam ndjekur në lokalin e Pandevit, që ndodhet fare pranë stadiumit. Kemi mbështetur Kombëtaren aty dhe të gjithë njerëzit habiteshin për brohoritjet tona. Nuk do ta harroj asnjëherë.

Çfarë qyteti është?

Qytet i qetë, i vogël. Në atë qytet ka qeverisur Zaev më parë. Është qytet interesant i vogël. Stadiumi ndodhet në qendër dhe fare pranë ndodhet një lokal në pronësi të Pandevit. Ka si ekip të qytetit “Akademinë” e Pandevit. Nuk është qytet racist kundër shqiptarëve, pasi ka një popullsi jo radikale. Janë afër kufirit me Bullgarinë.

Sa larg nga Shkupi është?

Me sa kujtoj, udhëtimi zgjat përafërsisht dy orë. Infrastruktura rrugore nuk mungon./panoramasport

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: