DURRËS- Pa u shqetësuar nga askush, në një orar me lëvizje të shumta qytetarësh, dy persona kanë zbritur nga një motor, pa i hequr fare kokoret, kanë nxjerrë nga çantat automatikët dhe kanë hyrë në një lokal në zonën e Ish-kënetës, duke ekzekutuar një 31-vjeçar me një plumb të vetëm e më pas plagosur dy persona të tjerë. Kjo ngjarje e denjë për një thriller ka ndodhur në Durrës rreth orës 20:00, ndërsa viktimë ka mbetur Robert V. Rama alias Ledion Hyska, 31 vjeç nga Laçi, që sipas policisë ka qenë shpallur person në kërkim, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tepelenë për veprën penale “Vjedhje me armë”.

NGJARJA

Gazetarja Klodiana Haxhiaj ka arritur të marrë rrëfimet e dëshmitarëve në ngjarjen e rëndë që tronditi Durrësin, mbrëmjen e sotme, duke rindërtuar të gjithë skenën e krimit. Robert Rama ka qenë në një tavolinë duke pirë kafe me dy persona të tjerë dhe duke luajtur letra, në një Bar lagjeje në mes të zonës së Ish-kënetës, i njohur ndryshe si “Librazhdioti”. Dy atentatorët me motor dhe me kokore në kokë kanë zbritur me qetësinë më të madhe nga motori, në anë të rrugës në trotuar, tek dera e lokalit kanë vendosur çantën, kanë nxjerrë automatikun e kanë montuar, kanë hyrë në lokal dhe kanë folur diçka me viktimën. Më pas e kanë goditur 31-vjeçarinme karrige lokali dhe i kanë vendosur automatikun në kokë dhe vetëm me një plumb e kanë ekzekutuar. Më pas kanë hedhur dy hapa dhe kanë qëlluar me breshëri. Plumbat kanë kapur dy persona, të cilët kanë mbetur të plagosur: Arnold Velaj, 32 vjeç dhe Alfons Ismaili, 50 vjeç. Më tej dy autorët janë larguar me shpejtësi para mbërritjes së policisë.

MOTIVI

Policia e Durrësit pohon se 31-vjeccari Robert Rama, që përdorte emrin Ledion Hyska për tu fshehur, ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tepelenë për veprën penale “Vjedhje me armë”. Banorët e Ish-kënetës kanë thënë për grupin hetimor se i riu kishte shkuar në zonë 3-4 herë dhe nuk e njihnin mirë. Viktimës iu gjet në trup një armë zjarri, tip pistoletë. Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për larje hesapesh, gjithsesi hetimet e mëtejshme do të saktësojnë rrethanat dhe motivet e këtij krimi.

Policia ka kryer të gjitha veprimet hetimore e procedurale në vendin e ngjarjes, ka marrë dëshmitë e personave të pranishëm në lokal, ndërsa jashtë tij është gjetur edhe çanta e armëve. Ndërkaq në të gjithë qytetin janë ngritur postblloqe të shumta për kapjen e autorëve.

DËSHMITARI: NJË NGA AUTORËT HYRI NË LOKAL DHE E GODITI ME KARRIGE

Një prej dëshmitarëve në vendin e ngjarje, ka treguar për News24 gjithë skenën e vrasjes. F. Suli tha se gjithçka kishte ndodhur brenda pak minutash dhe nuk e kishin kuptuar se çfarë po ndodhte vetëm kur kanë dëgjuar të shtënat e automatikut. “Vetëm kur qëlluan e kuptuam se çfarë po ndodhte. Gjithçka ndodhi brenda pak minutash. Një nga autorët hyri në lokal dhe e goditi me karrige viktimën, më pas e qëlloi në kokë nga një distancë e afërt”, ka thënë ai.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: