DURRËS – Tre punonjës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Durrës janë kallëzuar në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për dhjetra shkelje ligjore në detyrën e tyre, ndër të cilat spikat regjistrimi i 6000 m² tokë arë në fshatin Arapaj, aplikuar nga një person i vdekur 14 vjet më parë.


Mbi bazën ë shkeljeve, KLSH njofton se “ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse për ish-regjistruesin B.L. të Durrësit, juristin D.Q. dhe hartografen K.GJ., që në mospërmbushje të detyrës dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.


Në vijim, KLSH i ka kërkuar Kryeregjistruesit, zgjidhjen e kontratës së punës për juristin dhe hartografen. Ja disa prej shkeljeve të konstatuara, që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar gjatë auditimit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, për periudhën nga Janar 2012- Korrik 2014.


1. Në 282 raste në fshatin Shetaj, dhe Lalëz Komuna Ishëm, fshatin Shkallnur, Arapaj dhe Likmetaj, Komuna Rashbull, janë regjistruar 436064 m2 tokë e llojit “arë” më tepër.

2. Në 9 raste në fshatin Shetaj, Komuna Ishëm, janë regjistruar 68.201 m2 kur familjet bujqësore përfituese me AMTP, rezultojnë të kenë përfituar edhe më parë tokë bujqësore me AMTP.

3. Në 1 rast në Zonën Kadastrale (ZK) 1204, fshati Bizë, Komuna Ishëm, është regjistruar një sipërfaqeje prej 10.500 m2, në zërin kadastral “arë”, sipas AMTP nr. 79/1, datë 12.02.2002 kur kjo sipërfaqe ekziston në zërin kadastral “P F” (tokë e pa frytshme).

4. Në 17 raste në ZK 2375 fshatin Lalëz, Komuna Ishëm, janë regjistruar 1643 m2 sipërfaqe trualli e ndërtimi referuar listave emërore të ish-pronarëve për pronësinë e ndërtesës dhe trojeve por pa u disponuar asnjë dokumentacion për regjistrimin e tyre.

5. Në 3 raste në ZK 2375 fshatin Lalëz, Komuna Ishëm, janë regjistruar tokë truall subjekteve juridike duke u lejuar shmangjen e detyrimeve.

6. Në 2 raste në ZK 8518, Urbane Plazh Durrës, ka rezultuar se është regjistruar një objekt “8 kate banim shërbim hoteleri” dhe “godinë banimi dhe njësi tregtare 6 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë me funksion garazh”, kur sipas akt kolaudimit objekti ka ndërtuar pa leje një sipërfaqe prej 252 m2.

7. Në 1 rast në ZK 3385, Shkallnur, Durrës, është regjistruar një objekt “godinë banimi e shërbimi 8 + ½ + 1 kat shërbime + 1 kat garazh + papafingo”, kur sipas akt kolaudimit objekti ka ndërtuar pa leje një sipërfaqe prej 542 m2.

8. Në 2 raste në ZK 8512 qyteti Durrës, janë regjistruar sipërfaqe trualli 512 m2 dhe ndërtimi 219 m2 pa u disponuar dokumentacioni i duhur ligjor mbi mënyrën dhe llojin e përfitimit të pronësisë et.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: