TIRANË-DURRES-Blerja e ilaçeve me listë është bërë një fenomen i shpeshtë edhe në farmacitë e kryeqytetit. Kryetarja e Sindikatës së Farmacistëve Denisa Vrapi shprehet se mjaft qytetarë nuk arrijnë ti paguajnë dot ilaçet, kështu që të vetmen zgjidhje kanë që të shënojnë emrin në listë. “Listat e borxheve janë shtuar. Njerëzit kanë filluar ti blejnë ilaçet me kokrra por kura e paplotë nuk e shëron sëmundjen, ajo vetëm sa rrit imunitetin ndaj ilaçit”-shprehen farmacistët.

 

DURRËS, PENSIONISTËT MARRIN ILAÇET ME LISTË, FARMACISTËT: QYTETARËT S’KANË PARA TË PAGUAJNË

Situata e vështirë ekonomike ka detyruar shumë qytetarë të Durrësit, që dhe përveç ushqimeve dhe bukës, të marrin edhe ilaçet me lista. Të gjendur përballë këtij problemi, ata kanë pohuar për News24 se kushtet e vështira i kanë detyruar ata të ndjekin këtë metodë nëpër farmaci.


“I marrim ilaçet me listë, sepse nuk kemi të ardhura. Borxhi shkon deri në 40 mijë lekë të vjetra në muaj. Por ka dhe raste kur farmacitë na refuzojnë”, shprehen qytetarët. Nga ana tjetër, farmacistët pohojnë se kryesisht të moshuarit nuk kanë para me se të paguajnë ilaçet, ndërsa theksuan se borxhet i kthejnë kur marrin pensionet.

“Paratë i sjellin kur marrin pensionet ose ua sjellin nga jashtë fëmijët. Por ka dhe nga ata raste ku nuk na i kanë kthyer më. Kemi krijuar një klientelë të njohur”, deklaruan farmacistët.
(ed.me/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: