DURRES
Mbi 200 persona ish-përdorues të drogës, që mjekohen me metadon në Durrës kanë protestuar para spitalit duke kërkuar shpërndarjen e medikamentit ose, në të kundërt rrezikojnë t’i rikthehen sërish drogës. Për te siguruar drogën vetëm vjedhin në banesa apo biznese, dhe kjo është drama me te cilën përballen ata, familjet e tyre dhe shoqëria.
Janë kryesisht mosha të reja që kërkojnë ndihmë për metadonin i cili shpërndahet falas nga shteti por që shpërndarja në rrethe nuk është e rregullt e për pasojë situata paraqitet alarmante për këtë kategori. Ata thonë se prej ditësh nuk po i jepet doza e përcaktuar, ndërsa e kanë të pamundur ta blejnë privatisht për shkak të mungesës së të ardhurave.
Një 30 vjeçar rrëfen që është detyruar të vjedhë shpeshherë nga familja, për të siguruar lekët për drogën.
“Shumë shumë herë kam vjedhur nga familja. Kam shitur telefonin e mamit, babit, vëllait, por asnjëherë nuk më kanë thënë dil nga shtëpia. Kur isha në emigracion më sillnin ata lekë mua, nuk i ndihmoja unë ata. Edhe kur isha jashtë konsumoja drogë”.
Osteoporoza nga e cila vuan i ka krijuar deformime në trup, duke ia pamundësuar mundësinë e punësimit.
Në kushtet e krijuara ata thonë se duhet t’i rikthehen përdorimit të lëndëve narkotike ose duhet të kryejnë vjedhje për të siguruar paratë për ta blerë privatisht.
Ndërkohë, në qendrën e shpërndarjes së metadonit, jashtë kamerave, bëjnë me dije se janë në pritje të furnizimit, për të normalizuar situatën e krijuar.