Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) njoftoi se ndërprerja e sotme e energjisë elektrike në disa qytete të vendit ndodhi për shkak të stakimit të avarisë së linjës 220kV Tirana 2 – Rrashbull.
Si pasojë, energjia u ndërpre në të gjitha nën-stacionet e rajoneve Durrës, Lushnjë, Fier, Vlorë, Kuçovë dhe Berat.
Pas rreth 30 minutash, OST arriti të rikthejë energjinë në nën-stacionet e këtyre rajoneve, megjithatë, rikthimi u realizua vetëm për fidrat e rëndësisë së veçantë, përfshirë spitalet dhe qendrat e qytetit.
Të gjithë konsumatorët e tjerë mbeten të prekur nga kufizime të thella në furnizimin me energji elektrike.
Gjithashtu, në orën 17:52, u raportua një ndërprerje e përkohshme e energjisë edhe në rajonin e Sarandës, e cila u rikthye sërish me kufizime.
Aktualisht, OST njofton se është duke realizuar një rivendosje graduale të energjisë në rajonet e mësipërme, për shkak të ngarkesës së lartë.
Ky proces po kryhet në bashkëpunim me Dispeceritë Rajonale të Durrësit, Beratit, Fierit, Gjirokastrës dhe Vlorës, në përputhje me udhëzimet dhe hapësirat e nevojshme deri në rivendosjen e skemës normale të furnizimit.
(BalkanWeb)