DURRES

Dy breza që i lënë stafetën njëri-tjetrit. Të parët kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë në muzikën popullore dhe qytetare durrsake, të dytët synojnë të vazhdojnë në gjurmët e më të rriturve dhe ta perfeksionojnë dhe më shumë trashëgiminë e deritanishme.

Për rreth 2 orë me radhë, në sheshin “Liria” në Durrës  dëgjohej vetëm muzikë shqip, nga të gjitha trevat e vendit tonë.

“Durrësi në këngë”, projekt i Qendrës Kulturore, i mbështetur nga bashkia e qytetit, kishte për qëllim promovimin e brezit të këngëtarëve të rinj përmes brezit të artë të këngëtarëve të afirmuar tashmë.
“Ne nuk i harrojmë të vjetrit, nuk e harrojmë brezin e artë, por ne kemi dhe trashëgues shumë të mirë të kulturës dhe muzikës durrsake”,- thotë për “News 24” një nga organizatoret e koncertit Olta Juba.

Me një repertor që fliste vetëm shqip, këngëtarët e njohur Ylli Çiftja, Luljeta Strefi e shumë e shumë të tjerë u ngjitën në skenë duke entuziasmuar publikun dhe njëkohësisht duke u dhënë një mbështetje të madhe atyre që brenda pak vitesh do të bëhen trashëgimtarët e tyre në skenë.

“Kam një kënaqësi shumë të madhe, sepse unë u rrita në skenë, dhe po vjen koha që ne ta trashëgojmë tek të rinjtë dhe këta të rinj janë talente shumë të mirë. Do t’i dëgjojmë sonte dhe do të kënaqemi”,- thotë këngëtari Çiftja, që numëron plot 59 vite karrierë muzikore.

Për më të rinjtë emocionet janë të shumta, por më shumë sesa emocionet dëshira e tyre është të bëjnë për vete publikun.

“Emocionet e mia shkrihen sapo unë hy në skenë. Skena për mua është shtëpia ime e dytë, është vendi ku unë gjej veten, vendi ku unë përcjell sa më shumë emocione tek publiku dhe ajo që dua të bëj sonte është që të ngre publikun në këmbë”,- thotë 17-vjeçarja Anjeza Belshaku, që prej disa vitesh performon në skenë.

Ky nuk do të jetë i vetmi projekt që Qendra Kulturore Durrës ka programuar për promovimin e artistëve të rinj. Dy projekte të tjerë do të pasojnë shumë shpejt, në muajt në vazhdim.

“Ky është vetëm projekti I parë i 3 projekteve, që do të jenë pas njëri tjetrit. Qëllimi I të treve është të promovojmë të rinjtë e talentuar të qytetit, port ë tre do të jenë me nuance të ndryshme. I dyti do të jetë në nëntor dhe i treti në dhjetor”,- thotë Olta Juba.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb